Zhduken një vajzë dhe një djalë, dy familje alarmojnë policinë
Dy kallëzime për humbje adoleshentësh janë regjistruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ndërkohë që uniformat blu kanë nisur kërkimin për gjetjen e tyre. Në rastin e parë një djalë ka denoncuar humbjen e të fejuarës së tij, ndërkohë që prindërit e një djali tjetër kanë denoncuar ikjen e të birit. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se mëngjesin e djeshëm, Erald Kazazi është paraqitur në Komisariatin e Policisë Nr. 1 dhe ka denoncuar se e fejuara e tij ishte zhdukur dhe nuk e dinte se ku ndodhej. Sipas policisë, dje rreth orës 09.00 të mëngjesit, Erald Skënder Kazazi, 19 vjeç, banues në rrugën "Idriz Dollaku", ka kallëzuar se me datë gjashtë të këtij muaji, rreth orës 23:30, kur ka shkuar në banesë, nuk e ka gjetur të fejuarën, e cila quhet Xhuliana Beqir Sulbishta dhe është 16 vjeçe. Denoncuesi ka treguar se ajo është nga Burreli dhe bashkëjetonte me të prej kohësh, ndërkohë që telefonin e ka të fikur. Menjëherë, policia ka nisur punën për gjetjen e saj dhe sqarimin e shkaqeve dhe rrethanave të largimit, ndërkohë që i riu ka deklaruar se ajo nuk kishte shkuar as në familjen e saj. Megjithatë, policia ka nisur të pyesë të gjithë të afërmit e vajzës së re në lidhje me largimin e saj. Nga ana tjetër, po dje rreth orës 12:00, Dile Marku 60 vjeçe, banuese në Kamzë, me arsim tetë klasë, ka kallëzuar se që prej 15 ditësh i është larguar djali nga shtëpia dhe nuk është kthyer më. Sipas denoncimit të saj, Daniel Martin Marku, 17 vjeç, është larguar nga banesa më datë 19 mars të këtij viti dhe që atë ditë nuk është kthyer më. Fillimisht, gruaja 60-vjeçare kishte menduar se ai ndodhet te shokët e tij, por moskthimi e ka detyruar të denoncojë në polici. Ndërkohë, policia tha se fotot e dy adoleshentëve të zhdukur janë shpërndarë në të gjithë pikat policore dhe po punohet për gjetjen e tyre.