E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, kapen në kamionin e konfeksioneve shtatë klandestinë

Ka marrë 24500 euro për të realizuar ëndrrën italiane të emigrimit për 7 persona. Kjo ka qenë shuma për të cilën kanë rënë dakord të shtatë personat që u kapën të fshehur në kamionin me targa DR 5387 D të kompanisë "Berat Konfeks sh.p.k", ndërsa është arrestuar në flagrancë shoferi i kamionit, Artur Sulaj. Arrestimi i tij është bërë në orët e para të mëngjesit të djeshëm, rreth orës 04:30. Nga hetimet e para ka rezultuar se ishte pikërisht Sulaj ai që kryente këtë trafik të qenieve njerëzore duke shfrytëzuar punën e tij si transportues konfeksionesh nga Berati në drejtim të qyteteve të Italisë. Paraprakisht, Maksim Çuedari, presidenti i Berat Konfeks sh.p.k me qendër në qytetin e Beratit dhe i licencuar që në vitin 2003 për prodhim konfeksionesh nuk rezulton i implikuar në këtë trafik. Kanë qenë shërbimet e Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit që kanë arrestuar në flagrancë 35-vjeçarin Artur Sulaj nga Laçi me banim prej shumë vitesh në Spitallë të Durrësit. Transportimi ilegal i shtatë personave, mes të cilëve një femër, të gjithë të fshehur brenda kamionit me veshje që po eksportoheshin drejt Italisë, si mall i porositur prej andej, ka çuar në prangosjen e shoferit dhe bllokimin e kamionit. I arrestuari ka mohuar të jetë pjesë e trafikut, duke çuar në një zgjerim të hetimeve për këtë çështje. Konstatimi i klandestinëve në kamion është bërë mbrëmjen e vonë të së martës ndërsa po kryheshin procedurat për imbarkimin të kamionit në tragetin e linjës Durrës-Bari. Burimet policore bënë të ditur se nga hetimet e kryera rezulton që trafiku të jetë i mirorganizuar me destinacion Italinë. Personat e kapur në kamion ishin banorë të rretheve Burrel, Laç, Lezhë dhe Dibër. Atyre iu ishte premtuar transporti për në Itali kundrejt shumës prej 3.500 eurosh për person. Pagesa është bërë e pjesshme. Njëra pjesë është bërë para nisjes, ndërsa pjesa tjetër do të bëhej kur të bëhej mbërritja në destinacion. Ndërkohë, kanë nisur hetimet për të zbardhur shpeshtësinë e udhëtimeve të Sulajt me kamion drejt Italisë dhe zbardhur të tjera raste dhe detaje të këtij trafiku ilegal të qenieve njerëzore që funksionon në mes dy vendeve. Vendbanimet e ndryshme të klandestinëve tregojnë për një organizim të mirë të rrjetit që ka sekserët e vet në rrethe të ndryshme të Shqipërisë Veriore dhe Verilindore. Ndërkaq, për 7 klandestinët nuk është marrë ende asnjë masë. Ata janë shoqëruar në ambientet e komisariatit të policisë së portit ku i janë nënshtruar marrjes në pyetje nga agjentët e antitrafikut me qëllim zbardhjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafikut njerëzor për qëllime fitimi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›