E Diel, 1 Nëntor 2026

Raportoi vrasjen si vetëvrasje, dy vjet burg mjekut

PRETENCA/ Prokuroria e Krujës ka kërkuar deklarimin fajtor të Laim Bushit për pengim të zbardhjes së të vërtetës


KRUJË - Dy vjet burg është kërkuar nga organi i akuzës për mjekun i cili e raportoi vrasjen e Fitnete Docit si vetëhelmim.


Akuza e ngritur ndaj Laim Bushit, mjek në fshatin Tapizë, është "veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës", ndërsa prokurorja e çështjes veç dënimit me burg, ka kërkuar edhe dënimin me 1,5 milionë lekë gjobë, si dhe heqjen e së drejtës së ushtrimit të profesionit për pesë vjet. Në seancën e ardhshme pritet të dëgjohet edhe mbrojtja, si dhe vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Krujë.


Pretenca


Në konkluzionet përfundimtare të paraqitura nga përfaqësuesja e prokurorisë para gjykatës u kërkua deklarimi fajtor i mjekut Laim Bushi për "veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës".


Sipas prokurores, gjithçka e ka zanafillën më 13 gusht të vitit 2007 me vdekjen e shtetases Fitnete Doçi, në fshatin Tapizë të rrethit të Krujës.


Gruaja 26-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, një ditë më parë kishte festuar ditëlindjen e saj. Vdekja e Fitnetes është konfirmuar nga mjeku Laim Bushi, i cili është shprehur se shkak për ndërrimin e jetës së saj ka qenë vetëhelmimi.


Por një variant i tillë, i mbështetur edhe nga bashkëshorti i 26-vjeçares, Sefedin Doçi, është hedhur poshtë nga hetimet e mëtejshme, të cilat rinisën pas kundërshtimit të familjarëve të gruas. Sipas tyre, trupi i Fitnetes kishte pasur shenja dhune.


Pas hetimeve të kryera rezultoi se 26-vjeçarja kishte vdekur si pasojë e asfiksisë, domethënë e vrarë me mjete shtrënguese. Gjithashtu në trupin e saj nuk ka pasur gjurmë të lëndëve helmuese. Vetë mjeku Bushi pati deklaruar se gruan e kishte gjetur me të vjella, në gjendje kome dhe se pas tre injeksionesh e kishte nisur Fitneten për në Spitalin Ushtarak.


Por gjatë rrugës kishte kërkuar rikthimin në shtëpi sepse ajo kishte ndërruar jetë. Ndërkohë, hetimet e mëtejshme nxorën në dritë se gruaja ishte vrarë, vrasje për të cilën akuzohet bashkëshorti i saj 32-vjeçar Sefedin Doçi. Ndërsa për mjekun Laim Bushi është ngritur akuza e "kryerjes së veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës".


Në fund të konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesja e akuzës kërkoi deklarimin fajtor të mjekut për akuzën e ngritur, si dhe dënimin e tij me dy vjet heqje lirie, gjobitjen me 1,5 milionë lekë gjobë dhe heqjen e së drejtës për ushtrimin e profesionit për pesë vjet rresht.


Çështja ndaj mjekut Laim Bushi, si dhe bashkëshortit të viktimës fillimisht u pushua nga prokuroria, por ajo u rihap pas kërkesës së familjarëve të 26-vjeçares, të cilët kërkuan rishikimin me kujdes të provave.


Pas rihapjes së dosjes, nga puna u pushua edhe ish-prokurori i çështjes. Të dy të pandehurit, si mjeku, ashtu edhe bashkëshorti i Fitnetes i kanë mohuar akuzat, duke pretenduar vetëhelmimin e saj.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›