Bie nga kati i shtatë 23-vjeçari, në rrezik për jetën
FATKEQËSIA/ Besmir Manes mësohet se i ka rrëshqitur këmba e më pas është përplasur disa herë në skeleritë e jashtme
VLORË - Një 23-vjeçar është në rrezik për jetën pasi ra nga kati i shtatë i një pallati në ndërtim teksa punonte. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e pasdites së djeshme në një pallat 8-katësh në zonën pranë ish-Fabrikës së Orizit.
Sipas policisë, Besmir Mane me banim në Vlorë, po punonte për ndërtimin e një pallati. Teksa ndodhej mbi skeleri, 23-vjeçarit i ka rrëshqitur këmba dhe ka humbur ekuilibrin, duke u anuar nga ana e jashtme e pallatit.
Si pasojë e kësaj ai ka rënë nga skelerina e katit të 7-të, duke u përplasur disa herë nëpër skeleritë e vendosura në anën e jashtme të pallatit e më pas ka përfunduar në tokë, mbi një tog dherash. I aksidentuari është dërguar në spitalin rajonal pa ndjenja për t'i dhënë ndihmën e nevojshme.
Mësohet se 23-vjeçari sapo ka mbërritur në spital, është futur në sallën kirurgjikale dhe pas 2 orë ndërhyrjeje ka dalë. Sipas mjekëve, ai ka pësuar disa fraktura në të gjithë trupin, si dhe në kokë.
Ata shprehen me rezerva për gjendjen e tij shëndetësore dhe, sipas tyre, ai duhet të transportohet për një ndihmë më të specializuar, por transporti do të përbënte problem për të.
Ndërkohë, ende nuk ka një version zyrtar nga policia për ngjarjen, për të cilën po hetohet. Ky nuk është rasti i parë kur shënohen aksidente në punë. Sipas bluzave të bardha, shumë herë të aksidentuar në gjendje më të lehtë marrin mjekimin dhe konfirmojnë se do t'i kthehen sërish punës, pasi nuk kanë mundësi tjetër për të mbajtur familjet.