E Diel, 1 Nëntor 2026

“Aktiviteti i deputetit të PS Fidel Ylli, në papajtueshmëri me Kushtetutën”

27-02-2013 / Gazeta 55

Këshilli i Rregullores dhe i Mandateve shqyrton kërkesën e demokratëve

Këshilli i Rregullores dhe i Mandateve u mblodh dje për të shqyrtuar kërkesën e 16 deputetëve të Partisë Demokratike për t`i hequr mandatin deputetit socialist Fidel Ylli. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli është shprehur se Këshilli do të bëjë verifikimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën të mandatit të deputetit të PS-së, Fidel Ylli ndërsa në seancën e ardhshme deputeti mund të paraqitet në një seancë dëgjimore.
Relatori Edi Paloka, i cili paraqiti kërkesën e PD-së tha se  Filed Ylli ka shkelur nenin 70 të Kushtetutës, që përcakton se deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të tyre.
Ndërkohë në këtë kërkesë ligjore, deputetët e PD-së i  kërkojnë Kuvendit që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e konfliktit të interesit të deputetit të PS-së.
“Deputeti socialist Fidel Ylli ka rezultuar të jetë ortaku i vetëm i një radioje, në dhjetor të vitit 2009, ndërkohë që ai ishte shpallur deputet, me vendim të KQZ-së, që në gusht të këtij viti. Siç dihet, dhe siç përcakton ligji, frekuencat e radiove dhe televizioneve janë pasuri publike. Kushtetuta thotë se deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”, thuhet në kërkesën e Grupit të PD-së.
Ndërkohë pas seancës me deputetin Fidel Ylli, Këshilli i Rregullores do të hartojë një raport, i cili do t’i dërgohet për miratim Parlamentit.
Në seancën parlamentare, deputeti i PS-së Fidel Ylli mund të paraqesë qëndrimin e tij dhe argumentimin ligjor për akuzuat e bëra. Parlamenti voton me shumicë të thjeshtë dhe në mënyrë të hapur kërkesën e Grupit të deputetëve të PD-së, që kërkojnë dërgimin e mandatit të socialistit Fidel Ylli në Gjykatën Kushtetuese.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›