E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Referendumi do të japë mesazhin e pasionit perëndimor të shqiptarëve

27-02-2013 / Gazeta 55

Tre ligjet

Qytetarët do të jenë të gjendje të vendosin për fatin e tyre europian. Këtë gjë  konfirmoi edhe kryeministri Berisha gjatë takimit me drejtues të PD, me nismën referendare për votimin e  tre ligjeve të kërkuara nga Bashkimi Europian. “Referendumi, teksti i të cilit po përgatitet nga një grup i kryesuar nga Kryetari i Komisionit të Ligjeve, zoti Rusmali, është lëvizja që ne ndërmorëm, pasi shteruam të gjitha mundësitë e tjera me zotin Rama. Ju duhet t’i sqaroni zgjedhësit tanë dhe të gjithë qytetarët tanë se, këto tre ligje, janë ndërmjetësuar që të tria nga komuniteti ndërkombëtar”, theksoi kryeministri Berisha.
Sipas tij,  për të tre ligjet është rënë dakord në prezencë të faktorit ndërkombëtar dhe është arritur mirëkuptimi i plotë, por në një moment kreu i PS u tërhoq nga marrëveshje. “Ajo marrëveshje u kalua dhe u votua në parlament, pasi një zyrtar i lartë i Brukselit ka zhvilluar ndërmjetësime intensive. Kjo është e vërteta. Pas kësaj, zoti Rama, përsëri u tërhoq. Pastaj, ai ka qenë në Bruksel, në zyrat e zyrtarëve më të lartë atje dhe, për çështjen e rregullores ai ra plotësisht dakord. Sërish u tërhoq, duke u faktuar shqiptarëve se destruktiviteti dhe energjia negative janë frymëzimi i tij, janë shëmbëlltyra e tij. Këtë gjë, një njeri i qytetëruar, në të gjitha kohërat, nuk mund ta bëjë, pasi ‘pacta sunt servanda, marrëveshja respektohet. Ky është tipari kardinal i njerëzve të qytetëruar. Nëse arrin një marrëveshje, duhet ta nderosh këtë marrëveshje, sepse aty ke vendosur integritetin tënd. Natyrisht, ndonjëherë edhe mund të bësh gabim, por njeriu i qytetëruar merr dhe i mban përgjegjësitë. Por me zotin Rama nuk ka as ‘pacta sunt servanda’, as ‘facta sunt servanda’, sepse ai jeton në atë botën e tij të paranojës së qartë politike, që ai e quan Shqipëria e gënjeshtërt. Ai është i lodhur nga jeta”, nënvizoi ai.
Ndërkohë kreu i PD vuri në dukje se nuk ka pasur njeri në Shqipëri që të ketë menduar se do të vinte një ditë që, pas 21 vitesh evolucion, Partia Socialiste do të bllokonte reformat e integrimit, do të kthehej në origjinën e saj si armike e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar. “Por ja që kjo ndodhi. Ky është një realitet. Por ai nuk mund ta mbajë vendin peng. Ai po përgatit tërësisht skenarin e vitit 2009, por tani jo si shofer autobusi, por është i rrethuar nga 99-shat, i rrethuar nga Mjaft-ucat, i rrethuar nga një grusht i  ngushtë bllokmenësh, të cilët në çdo rast do t’i brohorasin ‘Edi fitimtari’, edhe kur ai të jetë drejt disfatës më të thellë. Por këto janë punët e tyre.  Ne do shkojmë drejt rrugës së referendumit dhe kjo çështje duhet të jetë një çështje dialogu. Ndaj ky referendum do të mbahet në vjeshtë dhe ne ftojmë shqiptarët që, me votën e tyre plebishitare, të çojnë mesazhin më të shkëlqyer për të gjithë  shqiptarët në botë dhe për të gjithë popujt e botës, të tregojnë se sa të zjarrtë e kanë ata pasionin e integrimit dhe vokacionin e tyre perëndimor”, përfundoi Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›