E Diel, 1 Nëntor 2026

Aktivizohen barbarizmat e mentalitetit të krahut të majtë politik, nëpërmjet përdorimit të metodave të etërve të tyre

Përgjaket fushata elektorale, vritet komisionieri i PD-së në Durrës

Kaskiera e egër politike ingranon mekanizmat vrastarë dhe i merr jetën babait të tre fëmijëve, mbështetësit të Partisë Demokratike dhe vlerave themelore të demokracisë në Shqipëri, 32-vjeçarit Artan Zeka. Artan Zeka, i lindur në Qerret ndërroi jetë në sallën e kirirurgjisë, në duar të mjekëve kirurgë, Miri Hoti dhe Ilir Shani, të cilët me përpjekjet e tyre humane, nuk arritën që t’i shpëtonin jetën të ndjerit Zeka. Pas ngjarjes së rëndë e cila ka ndodhur për shkak të një konflikti lidhur me simbolet e subjekteve politike, policia prangosi vetëm pak minuta më vonë autorin e krimit të rëndë, shtetasin Skënder Balla 45 vjeç edhe ai banor i Qerretit në komunën Katund i Ri. Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, politika avangarde dhe gjakatare e instrumentuar nga duart e ligëta të mentalitetit të zi majtist, i mori jetën një të pafajshmi, një mbështetësi të vyer të një partie politike, i cili me bindje të theksuara kishte zgjedhur rrugën e simpatisë drejt Partisë Demokratike, me besim në vetvete se Shqipëria meriton të vijojë ndryshimin. Por, nuk mbyllet me kaq, autori i këtij krimi të rëndë, është me precetendentë penalë bashkë me familjarë të tij, të cilët nën hijen e disa përfaqësuesve politikës së majtë,  i kanë shpëtuar drejtësisë, për vite me radhë, derisa morën edhe një tjetër jetë të pafajshme. I vëllai i vrasësit, Luan Balla njihet si një mik i ngushtë i Ali Dobrushës, që ka muaj të tërë që bën fushatë të dhunshme elektorale në gjithë qarkun e Durrësit dhe njëherazi njihet si një njeri i afër me Edi Ramën. Këta persona, përfshi edhe vrasësin Skënder Balla, hetoheshin për veprime antiligjore deri në vrasje, por asnjëherë organi i akuzës nuk arriti të formulojë një akuzë dhe të prangosë vrasësit. Aktivitetet e tyre antiligjore shënohen që nga viti 2003 dhe u finalizuan me vrasjen e një mbështetësi të shquar të Partisë Demokratike, të një familjari me norma, 32-vjeçarin Artan Zeka. Tani, organeve të hetimit, mund t’u mjaftojnë provat për të vënë para drejtësisë shtetasit Skëndër Balla, Luan Balla dhe Ali Dobrusha, të cilat po hanë koka njerëzish për t’i shërbyer klanin vrasës dhe etur për pushtet, që udhëhiqet qarqe të theksuara të së majtës.

Ngjarja me komisionerin

Vrasja e komisionerit të Partisë Demokratike të Durrësit, 32-vjeçarit Artan Zeka ka ndodhur rreth orës 9 të ditës së premte. Zeka nga fshati Qerret i komunës Katund i Ri ka qenë pranë një lokali teksa ka nisur të grindet me shtetasin Skënder Balla 45 vjeç. Sipas policisë së Durrësit sherri e më pas edhe vrasja ka ndodhur pas debatit mes komisionerit të PD Zeka dhe bashkëfshatarit të tij Balla lidhur me simbolet e subjekteve politike. Zeka ka dalë herët nga shtëpia për të vendosur flamujt elektoral të PD në një nga lokalet në qendër të fshatit Qerret ngase në zgjedhjet elektorale të 28 qershorit ai ishte caktuar komisioner nga PD e Durrësit. Sipas policisë te lokali ku edhe do të vendoste flamujt e PD-së, 32-vjeçari Artan Zeka është futur në konflikt me shtetasin Skënder Balla. Edhe pse të dy këta shtetas ishin bashkëfshatar sherri ka shkuar drejt përdorimit të armës së zjarrit. 45-vjeçari që sipas policisë është person me precedent kriminal, pas grindjes është larguar përkohësisht për t’u kthyer disa minuta më pas me një armë zjarri. Në kohën që Balla është afruar pranë të riut Zeka ka qëlluar me automatik duke e goditur komisionerin e PD-së. Ndërsa pellgu i gjakut e ka mbuluar të riun autori i krimit është larguar për t’u vënë në pranga vetëm 30 minuta më pas. 

Ndihma mjekësore

Artan Zeka është marrë nga persona pranë vendit të ngjarjes dhe rreth orës 9.45 minuta është futur në sallën e operimit, ndërsa kirurgët Miri Hoti dhe Ilir Shani nuk kanë mundur t’i ndalojnë hemorragjinë dhe as ta mbajnë në jetë. Konfirmimet spitalore bëjnë të ditur se i riu kishte marrë vetëm një plumb në pjesën e barkut. Zeka është qëlluar nga një distancë shumë e afërt, rreth 1.5 m dhe plumbi i ka prekur organet jetësore. Drejtori i spitalit Neritan Myderrizi ka theksuar se “kirurgët kanë bërë gjithçka të mundshme për ta mbajtur në jetë të plagosurin Artan Zeka por plumbi i ka përshkuar mëlçinë, mushkëritë, shpretkën e veshkat”. Rreth orës 13.10 mjekët kanë konfirmuar edhe vdekjen e të riut i cili është viktimë e fushatës politike. Zeka pasi është plagosur nuk është përmendur më, madje as pas tre orë ndërhyrje kirurgjikale të dy specialistëve cilësor të kirurgjisë së Durrësit. Kirurgu Miri Hoti ka pohuar pasi ka dalë nga salla e operimit se nuk kishte asnjë shpresë për jetën e 32-vjeçarit, ndërsa 5 kg gjak që është futur nuk ka dhënë efekt. Dhjetëra familjarë, të afërm e qytetarë janë dyndur drejt spitalit për të dhuruar gjak, ndërkohë të pranishëm në mjediset e spitalit kanë qenë dy deputetët Xhaferri e Metalla, prefekti e kryetari i qarkut. Ndërkohë, mësohet se menjëherë pas ngjarjes Ministria e Shëndetësisë ka vënë në shërbim një helikopter për ta nisur jashtë vendi por gjithçka ka qenë e pamundur pasi Zeka ka vdekur në sallën e reanimimit. Policia ka akuzuar për krimin e vrasjes së komisionerit të PD-së, shtetasin Skënder Balla 45 vjeç. Sipas një deklarate zyrtare policia e Durrësit ka theksuar se Balla ka qenë person me precedent penal dhe se ai tani do të hetohet edhe për një krim për të cilin Balla akuzohet se e ka kryer në vitin 2003.

Reagime nga Politike

Xhaferri: Ngjarja, tregues i mentalitetit të krahut të majtë të politikës shqiptare

Deputeti i PD-së në Durrës, Ferdinad Xhaferri reagoi dje lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Qerret të Durrësit, ku paraditen e djeshme u qëllua për vdekje me armë zjarri shtetasi Artan Zeka, 25 vjeç, banor i këtij fshati.“Artan Zeka është qëlluar me automatik vetëm sepse po vendoste në mënyrë paqësore flamurët dhe posterat e Partisë Demokratike pranë një lokali në fshatin e tij Qerret. Ngjarja është mjaft e rëndë dhe është gjithashtu tregues i mentalitetit të krahut të majtë të politikës shqiptare, të cilët vazhdojnë të përdorin metodat e baballarëve të tyre. Ligji do të veprojë me force për ngjarje të tilla”, tha Xhaferri.Një tjetër reagim i menjëhershëm lidhur me këtë ngjarje ishte ai i Prefektit të Qarkut të Durrësit Klodian Pajuni, i cili dënoi akte të tilla kriminale që jo vetëm tronditin klimën paraelektorale, por njollosin imazhin e gjithë shqiptarëve.

Bregu: Vrasja e mbështetësit të PD-së, një akt kriminal i shëmtuar

Zëdhënësja e fushatës së Partisë Demokratike Majlinda Bregu e konsideroi ngjarjen e djeshme në Qerret të Sukthit, si krim të shëmtuar të ushqyer nga intoleranca dhe urrejtja politike. Bregu deklaroi se ky akt i shëmtuar godet jo vetëm një aktivist të Partisë Demokratike, por të gjithë shqiptarët të cilët janë të prirur për një proces të ndershëm zgjedhor. “Në orën 8 të mëngjesit një dorë kriminale e ushqyer nga intoleranca dhe urrejtja, goditi për vdekje veprimtarin e Partisë Demokratike, babanë e tre fëmijëve, 32-vjeçarin Artan Zeka. Ky është një akt kriminal i shëmtuar që godet jo vetëm një aktivist të Partisë Demokratike dhe familjen Zeka por të gjithë shqiptarët që kanë sot një përkushtim të madh për një proces të ndershëm zgjedhor”, u shpreh zëdhënësja e fushatës së PD-së Majlinda Bregu. Në emër të Partisë Demokratike ajo i shprehu familjes ngushëllimet, dhimbjen dhe pikëllimin e thellë për veprimtarin e saj të çmuar dhe njëherazi dënon me ashpërsinë më të madhe këtë akt kriminal dhe prapavijën e tij me lidhje të sigurta me krimin e shëmtuar. Partia Demokratike kërkon dënimin maksimal për autorin e këtij krimi por dhe frymëzuesit e tij, bos mafiozë që garojnë për të mbrojtur interesat mafioze të tyre. “Partia Demokratike i kërkon Edi Ramës të distancohet dhe dënojë aktin e kryer nga segmente të krimit të partisë së tij në Durrës. PD i kërkon të gjithë liderëve të partive politike të distancohen nga akte të tilla kriminale. Partia Demokratik u bën thirrje të gjithë militantëve dhe aktivistëve të saj të shmangin çdo lloj teprimi dhe konfliktualiteti dhe të ecin të sigurt se 28 qershori do të jetë ndëshkimi madhor për krimin dhe frymëzuesit e tij”, deklaroi më tej zëdhënësja e fushatës elektorale të Partisë Demokratike, Majlinda Bregu. Partia Demokratike i kërkoi degës së PD së qarkut Durrës të ndërpresë në shenjë nderimi fushatën elektorale për 24 orë. Ngjarja ka ndodhur në qendër të fshatit, në afërsi të një lokali, ku i dëmtuari dhe autori janë konfliktuar me njëri-tjetrin për simbolet e subjekteve elektorale. Më pas autori kësaj ngjarje shtetasi Skënder Balla, simpatizant i Partisë Socialiste, 45 vjeç është larguar për t’u rikthyer me një armë automatike dhe ka gjuajtur në drejtim të shtetasit Artan Zeka, duke e plagosur rëndë, cili më pas ka gjetur vdekjen në Spitalin e qytetit të Durrësit. Shtetasi Skënder Balla, person me precedentë kriminalë, është arrestuar 10 minuta pas kryerjes së krimit, ku i është sekuestruar dhe arma e krimit. Për këtë ngjarje janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, të gjithë personat që kanë parë dhe kanë dijeni për ngjarjen. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›