Gjithçka nga takimet elektorale të kandidatëve të djathtë nëpër zonat ku kandidojnë

Bode: Në 4 vitet e ardhshme qeveria do të trefishojë fondet për bujqësinë
Ministri i Financave, Ridvan Bode, i pari në listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë të PD-së në qarkun e Korçës, ka vijuar turin elektoral në rrethin e Devollit, ku dhe ka marrë pjesë në përurimin e dy investimeve në infrastrukturën rrugore të komunës Progër, me vlerë 96 milion lekë. Bode përuroi fillimin e punimeve të rrugës së fshatit Shuec, 1 kilometër e gjatë, për të cilën janë investuar 19 milion lekë nga qeveria shqiptare. Gjatë fjalës së mbajtur, Ministri Bode tha se “Kjo zonë për vetë pozicionin e saj gjeografik dhe vlerat natyrore, do të ketë përparësi në zhvillimin e turizmit. Pas asfaltimit të rrugës së fshatit Shuec do të financohen të tjera projekte në infrastrukturë”.
Duke u ndalur në punën që qeveria ka bërë, Bode tha se, “Ishin këto reforma që ndryshuan Shqipërinë dhe që nëpërmjet programit ambicioz synojnë të vazhdojnë rrugën e nisur katër vite më parë. Pjesë e ndryshimeve do të jetë dhe kjo zonë me bukuri të rralla natyrore”. Projekti për asfaltimin e rrugës së fshatit Shuec do të zbatohet për 3 muaj, duke lehtësuar lëvizjen e banorëve të këtij fshati drejt zonave të tjera të Devollit dhe rajonit të Korçës. Një tjetër ndalesë ministri Bode e ka bërë në fshatin Rakickë, vendlindjen e tij, ku përuroi përfundimin e punimeve për asfaltimin e rrugës që të çon në këtë fshat, me një gjatësi 6 kilometra. Sistemi i zgjerimit dhe asfaltimit të kësaj rruge ka kapur shifrën e 75 milion lekëve nga buxheti i shtetit. Duke folur për vendlindjen e tij, Bode tha se “Rakickën, këtë fshat të këngës dhe punës, bukurisë natyrore dhe vlerave historike nuk do ta lemë të braktiset dhe të mbetet e izoluar siç ka qenë vite më pare”.
Fshati Progër ka qenë një tjetër pikë takimi e Bodes me banorët e kësaj zone. Duke folur për realizimin e investimeve në rrethin e Devollit, ai vuri në dukje se “ky rreth në katër vjet ka ndryshuar si e gjithë Shqipëria, me rrugë të asfaltuara që lidhin fshatrat dhe komunat me njëra-tjetrën, janë ngritur shkolla dhe qendra të reja shëndetësore dhe sërish do të investohet për të vazhduar rrugën e reformave”. Ministri Bode u ndal në programin e PD-së për sektorin e bujqësisë, ku përmendi shtimin e kapaciteteve të industrisë ruajtëse, magazinuese dhe agro-përpunuese të prodhimeve bujqësore, subvencionin për koston e farërave, plehrave kimike dhe karburantit, barazimin e pensioneve të fshatit me ato të qytetit etj.
“Programi ynë elektoral synon trefishimin e fondeve për zhvillimin e bujqësisë dhe në këtë kuadër do të përfitojë dhe rrethi i Devollit e rajoni i Korçës”, premtoi ai. Pjesë e takimeve elektorale të ministrit Bode ishte dhe takimi me të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Ministri Bode vlerësoi se “Rinia janë qytetarët e parë të Shqipërisë evropiane. Ëndrra për ta bërë Shqipërinë pjesë të familjes evropiane do të bëhet realitet në muajt e parë të mandatit tonë të dytë, duke mundësuar lëvizjen e lirë drejt vendeve të BE”.
Haxhiraj: Në 3 vjet në Vlorë janë përfituar nga bashkia 4 herë më shumë fonde se gjatë gjithë qeverisjes socialiste
Gjatë periudhës 2006-2009, bashkia e Vlorës ka përfituar nga Qeveria Berisha, katër herë më shumë fonde krahasuar me të gjithë periudhën e qeverisjes socialiste. Këtë konstatim e ka bërë nënkryetari i degës lokale të Partisë Demokratike, Vilson Haxhiraj, i cili gjatë një konferencë për shtyp bëri një analizë të investimeve që janë kryer në këtë qytet, gjatë viteve 2006-2009, duke nënvizuar se, ato kanë qenë katër herë më të larta, se në 8 vitet e qeverisjes socialiste kur Vlora përfitoi vetëm 99.9 milionë lekë. Haxhiraj ka informuar se “Pjesë e rëndësishme e investimeve në qytetin e Vlorës, është rruga “Transballkanike” e cila, ju dha Vlorës nga qeveria e Partisë Demokratike, si një autostradë e standardeve evropiane”.
Duke folur për qeverisjen socialiste, Haxhiraj tha se “tek flasin për ujësjellës e autostrada, socialistët harrojnë që në 8 vjet, në Vlorë nuk bënë asnjë investim të tillë”. Sipas Haxhirajt “në qarkun e Vlorës në katër vjet, qeveria Berisha ndërtoi 233 km rrugë nacionale, me vlerë 7.5 miliardë lekë, investoi në rrugë rurale 1.9 miliardë lekë dhe në ujësjellës e kanalizime 550 milion lekë”. Nënkryetari i degës lokale të Partisë Demokratike, Vilson Haxhiraj, u bëri thirrje socialistëve lokalë, të pranojnë këtë realitet dhe t’i japin fund praktikës së shpifjeve e shtrembërimeve, që synojnë të denigrojnë arritjet e pamohueshme të katër viteve të fundit në Vlorë dhe në mbarë vendin. “Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet parti e vlerave dhe kujtesës. Besimi i qytetarëve, veprat dhe arritjet 4-vjeçare të qeverisë Berisha, janë vlerat kryesore në programin tonë elektoral që do të vijojmë t’i zbatojmë në mandatin tonë të dytë qeverisës”, theksoi nënkryetari i degës së PD-së, së Vlorës.
Kollozi: Urbanizim të shpejtë të zonave periferike
Kryetari i degës lokale të Partisë Demokratike dhe njëkohësisht kandidat për deputet në Qarkun e Vlorës, Ardian Kollozi, premtoi dje urbanizim të shpejtë të zonave periferike të këtij qyteti. Gjatë takimeve që zhvilloi me banorë të këtyre zonave, Kollozi garantoi se “pas procesit të legalizimit të banesave të tyre, vjen faza e urbanizimit”. “Pasi legalizuam banesat tuaja, për të cilat ju tashmë keni certifikatat e pronësisë, ne do të angazhohemi për urbanizimin e këtyre zonave”, u shpreh Kollozi. Ai tha se, përmes procesit të urbanizimit, do të plotësohet infrastruktura rrugore, do të ndërtohen kopshte, shkolla e çerdhe, të cilat do ta transformojnë plotësisht pamjen e zonave periferike të Vlorës. Për Kollozin, kjo është përgjigja më e mirë ndaj mashtrimeve dhe premtimeve boshe të socialistëve, të cilët pretendonin të kryenin më parë urbanizimin, gjë që nuk e realizuan kurrë. Kollozi nënvizoi se, për të vazhduar procesin me ritme të shpejta, ashtu sikundër është bërë deri tani, duhet mbështetja e banorëve, të cilët me votën e tyre në 28 qershor, do të reflektojnë vullnetin për të vazhduar së bashku në rrugën e ndryshimit.
Vokshi: Problemet e furnizimit me ujë si dhe infrastruktura - zgjidhje brenda vitit të parë të mandatit qeverisës
Kandidatja për deputete në qarkun e Durrësit, Albana Vokshi ka zhvilluar një tur takimesh me banorë të 2 lagjeve të fshatit Xhafzotaj, të komunës Rrashbull. Vokshi bisedoi me banorët për problemet dhe shqetësimet me të cilat ata përballen si dhe mundësitë e zgjidhjes së tyre gjatë mandatit të dytë qeverisës të Partisë Demokratike. Duke u ndalur në arritjet e qeverisë kandidatja e PD-së Albana Vokshi theksoi se gjatë këtij 4-vjeçari, janë kryer shumë investime, në arsim, shëndetësi, infrastrukturë. Në fjalën e saj, Vokshi përmendi veprën më madhore dhe më të suksesshme të realizuar gjatë qeverisjes Berisha, rrugën Durrës-Kukës, e cila jo vetëm është rruga e Kombit, por edhe rruga e zhvillimit pasi do të sjellë më shumë investime, më shumë mirëqenie për të gjithë dhe sidomos për banorët e Durrësit. Gjithashtu ajo siguroi banorët se shqetësimet e tyre në lidhje me furnizimin me ujë të pijshëm, përmirësimin e infrastrukturës do të gjejnë zgjidhje brenda vitit të parë të mandatit qeverisës të Partisë Demokratike. Më pas Vokshi u fokusua në mbështetjen e dhënë nga qeveria demokratike për forcimin dhe mbrojtjen e gruas në shoqëri. “Do të jem zëri juaj në Parlament, jo vetëm i burrave, por edhe grave sepse si nënë, si bashkëshorte, e di rëndësinë dhe rolin e gruas në familje. Qeveria demokratike gjatë mandatit të ardhshëm do të vazhdojë të mbështesë dhe promovojë fuqishëm rolin e gruas në shoqëri dhe në zhvillimet ekonomike, sociale dhe politike të vendit pasi duke punuar më shumë për gratë në punojmë më shumë për fëmijët, punojmë më shumë për të ardhmen e tyre, punojmë më shumë për të ardhmen e Shqipërisë”, u shpreh Vokshi.
Bumçi: Mandatin tjetër do të shumëfishohet granti për projektet bujqësore
Kandidati i Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës, Aldo Bumçi, u takua me fermerë të komunës Ndroq. Bumçi pa nga afër investimet e kryera në sera dhe në vreshta dhe bisedoi me fermerët për mundësitë që do të ofrohen për financimin e projekteve në bujqësi dhe agro-industri.Fermerët vlerësuan mbështetjen e dhënë nga qeveria për shtimin e prodhimit bujqësor. Ata thanë se subvencionet e dhëna i kanë ndihmuar për të shtuar sipërfaqet e mbjella duke rritur kështu prodhimin vendas. Kandidati i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi që kryeson dhe listën e kandidatëve në qarkun e Tiranës siguroi fermerët se në mandatin e dytë qeveria demokratike do të pesëfishojë grandet për projektet bujqësore.
Basha: Brenda qershorit të vitit 2010-s, çdo shqiptar do të udhëtojë pa viza në BE
Ministri i Punëve të Jashtme, njëkohësisht kandidat për deputet në qarkun e Elbasanit Lulzim Basha ka zhvilluar dje një takim me banorë të komunitetit gollobordas të qytetit të Elbasanit. “Unë jam i lumtur t’ju them se Komisioni Evropian ka shprehur vlerësimin maksimal për liberalizimin e vizave dhe brenda qershorit të vitit që vjen çdo shqiptar do të udhëtojë pa viza në BE, ka deklaruar ministri Basha.Pasi ka ripërsëritur edhe një herë arritjet e qeverisë së kryesuar nga kryeministri Sali Berisha, Basha ka deklaruar se “ashtu si i rritëm pensionet për tre vjet e dhjetë muaj, ne do t’i çojmë me tej ato drejt standardeve evropiane sikurse edhe rritja e rrogave do të vazhdojë”. Basha tha se segmentet rrugore të rëndësishme si ai Elbasan-Tiranë do të jenë një përparësi për qeverisjen e katër viteve të ardhshme.
Patozi: Prioritet, punësimi nëpërmjet zhvillimit të turizmit dhe hapjes së bizneseve të reja
Kandidati i PD-së për qarkun e Vlorës Astrit Patozi vizitoi dje qytetin bregdetar të Sarandës ku zhvilloi takime në qendrën e të moshuarve të qytetit, dhe bisedoi me të rinj e përfaqësues të biznesit të vogël.
Gjatë bashkëbisedimit me ta, kandidati i PD-së dhe nënkryetari i PD-së, Patozi u bëri atyre të ditur se qeveria gjatë mandatit të dytë do të tregojë vëmendje maksimale ndaj punësimit të qytetarëve nëpërmjet çeljes së bizneseve të reja dhe zhvillimit të turizmit. Para të rinjve sarandjotë, Patozi tha se e ardhmja e tyre i përket familjes evropiane. “Brenda vitit 2010, të rinjtë dhe mbarë shqiptarët do të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të zonës “Shengen” dhe brenda mandatit vitit 2013, Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plotë e bashkimit Evropian. Gjithashtu, prioritet për ne do të jetë edhe shkollimi”, tha Patozi që informoi të rinjtë se vetëm për vitin 2009, nga buxheti i shtetit janë investuar më shumë se 60 miliardë lekë vetëm për arsimin parauniversitar. Ndërsa të moshuarit falënderuan kandidatin e PD-së për rritjen që qeveria i ka bërë pensioneve, ndërsa Patozi i garantoi se rritja e pensioneve do të vazhdojë edhe gjatë 4 viteve të ardhshme duke rritur kështu nivelin e jetesës së moshës së tretë. Kandidati i PD-së veçoi si prioritet edhe zhvillimin e infrastrukturës rrugore në gjithë qarkun e Vlorës, ku deri tani vetëm nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit nga viti 2005 në 2009, janë investuar rreth 9 miliardë.
...