Dora kriminale, në krushqi familjare me PS-në i merr jetën mbështetësit të demokracisë

Një njeri me precedent penal, i cili kishte krushqi familjare me kandidatin e Edvinit për atë zonë elektorale i merr jetën Artan Zekës, një mbështetësi të strukturave të Partisë Demokratike. Arrestohet vrasësi, Skënder Balla, ndërkohë që opinioni publik dënon faktorët politikë që po përdhosin procesin zgjedhor në vend.
Berisha dënon aktin kriminal dhe u bën thirrje simpatizantëve të partive politike t’i përkushtohen një fushate zgjedhore të denjë për njerëz të lirë. Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në mëngjes në fshatin Qerret të Sukthit, ku një 25–vjeçar është vrarë me armë zjarri. Viktima është Artan Zeka, mbështetës i Partisë Demokratike, ndërsa vrasësi Skënder Balla, 45 vjeç, simpatizant i Partisë Socialiste, i arrestuar vetëm pak minuta pas krimit. Ka ndodhur gjithçka pas një konflikti për disa simbole të subjekteve elektorale, në këtë lokal në qendër të fshatit. Pas grindjes, 25-vjeçari Zeka është ulur në kafene, ndërsa Balla është larguar për në shtëpi për t’u kthyer me një armë automatike duke qëlluar me breshëri në drejtim të tij.
Menjëherë pas ngjarjes së rëndë reagoi kryeministri Sali Berisha, i cili duke dënuar krimin u bëri thirrje të gjithë anëtarëve dhe militantëve të partive politike të distancohen nga aktet kriminale dhe të përkushtohen në një fushatë zgjedhore të denjë për njerëz të lirë. Kreu i qeverisë i shprehu ngushëllimet e tij më të thella familjes së 32-vjeçarit Artan Zeka, babait të tre fëmijëve. Lutjet e Kryeministrit Berisha dhe të gjithë shqiptarëve shkojnë për shpirtin e të ndjerit dhe familjes së tij.
Kryeministri Berisha u bën thirrje të gjithë shqiptarëve të ruajnë gjakftohtësinë dhe vetëpërmbajtjen dhe kërkon me forcë zbatimin e plotë të ligjit mbi autorin e këtij akti kriminal. Gjithashtu, kryeministri u bën thirrje të gjithë aktivistëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike të mbajnë një minutë heshtje në tubimet e tyre për humbjen e demokratit, mikut Artan Zeka.
...