E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aktorë e këqij



Diktatura & Artisti

Rrëfimi i rrallë i Esat Musliut - Në kohën e diktaturës, një numër aktorësh identifikoheshin me njollë të purpurt në biografi, për shkak se e kaluara e tyre mund të ishte me cene. Njerëz të persekutuar, të afërm të dënuar nga partia, ose jo rrallë edhe njerëz të pushkatuar, nga familja, e nga rrethi i tyre fisnor, njolloste personalitetin. Në rastin konkret, aktorit i duhej ta paguante gjithnjë me personazhet negative të filmave të komunizmit. Për herë të parë, një regjisor reflekton mbi nostalgjinë, duke na treguar rastin më fatkeq të aktorëve, atyre që privoheshin nga rolet kryesore dhe “heronjtë pozitivë”

Aktorë e këqij

Shkëlqimi i kinemasë në kohën e diktaturës, pra ajo që sot quhet nostalgji e kinemasë, ka qenë krejtësisht i rremë. Që prej çlirimit të vendit dhe deri në ardhjen e demokracisë, aktorët që kanë luajtur, ata që janë ngulitur si artistë të mëdhenj, me nderimin socialist, artistë të popullit, duhet ta kishin biografinë e bardhë për të qenë heronj pozitivë, apo “njeriu i ri socialist”. Në të kundërt, ishe i kryqëzuar, talenti shumëzohej me zero, duke përfunduar në role të këqijsh. “Zakonisht ishte një orientim herë i fshehtë, herë i hapur, herë i mbyllur, brenda organizatës së partisë, por kishte edhe raste kur arrinte të depërtonte edhe tek regjisorët”, - shprehet regjisori Esat Musliu. Ai tregon se në atë kohë ekzistonte një numër aktorësh, të cilët identifikoheshin me njollë të purpurt në biografi, për shkak se e kaluara e tyre mund të ishte me cene. Njerëz të persekutuar, të afërm të dënuar nga partia, ose jo rrallë edhe njerëz të pushkatuar, nga familja, e nga rrethi i tyre fisnor, njolloste personalitetin. Në rastin konkret, aktorit i duhej ta paguante gjithnjë me personazhet negative të filmave të komunizmit.

“Kur bëhej përzgjedhja e aktorëve për realizimin e një projekti filmik, mes tyre kishte edhe nga kjo kategori, me njollë në biografi. Kështu, në mënyrë indirekte, por shpeshherë edhe direkte, regjisorit i kërkohej një tjetër kandidaturë e dytë, e cila duhej të përzgjidhej, me qëllim që të krijonte një ekuivalencë me aktorin kryesor”, - thotë regjisori Musliu. Sipas tij, nëse aktori qëllonte të ishte mbartës i kësaj njolle në biografinë e tij, motivet nuk tregoheshin asnjëherë hapur, me qëllim që të mos i cenohej personaliteti i tij. Në mbështetje të këtij rregulli, regjisori argumenton po ashtu se të dilte hapur lufta e klasave dhe njëkohësisht edhe për të mos detyruar regjisorin ose trupën që do të realizonte filmin të bënte ndërhyrje personale në organet më të larta të partisë dhe pushtetit, ishin motivet ndikuese. Regjisori kujton se një rast i tillë i ka ndodhur me filmin “Nata e parë e lirisë”.

“Përzgjodha një student që ishte në Akademinë e Arteve, i cili quhej Artan Imami. Ndërkohë që në të vërtetë nuk dija asgjë gjë rreth biografisë së tij. Ky aspekt në fakt nuk ishte as detyrë e imja”, - thotë Musliu. Ai vijon duke treguar se gjithçka ndodhi pothuajse në fund të projektit, një kohë kur shumë shpejt do të nisnin xhirimet e filmit, pasi të garantohej edhe leja përkatëse që ky aktor të merrte pjesë në film, me miratimin e Kinostudios. “Kam pasur shumë probleme me këtë aktor. Katedra gjeti disa arsye, të cilat nuk ishin bindëse që unë të mos i jepja rolin. Por ndërkohë, insistimi im i madh luajti një rol të rëndësishëm. Çështja arriti deri tek dera e Manush Myftiut, aty ku trokita bashkë me drejtorin e grupit të filmit”.

“Në këtë film, aktori Imami do të interpretonte rolin e një komisari partizan, por një personazh të tillë, në atë kohë superior i sistemit, do ta pengonte njolla. Babai i tij kishte pasur disa probleme me shtetin në atë kohë, i cili ishte dënuar për shkak të disa problemeve në marrëdhënie pune dhe kështu që djali i tij privohej nga kjo e drejtë.

Por, pavarësisht kësaj, me insistimin tim arrita të kapërcejmë të gjitha këto vështirësi, e në këtë mënyrë Artan Imami erdhi në filmin tim. Ajo druajtje e organeve të Akademisë së Arteve për të angazhuar këtë aktor edhe në teatër dhe në film, u kapërcye, ndërkohë që ai u afirmua dhe vazhdoi karrierën e tij artistike”, - thotë ai.

Përveç eksperiencës së tij personale, probleme të kësaj natyre, sipas regjisorit, kanë pasur edhe regjisorë të tjerë. Ai shton se kjo metodologji u theksua së tepërmi gjatë kohës kur lufta e klasave acarohej sidomos në periudhën e revolucionit kulturor kinez. Reflektimet e tij u pasqyruan edhe në aktivitete politike, veçanërisht në sferat artistike, si mjeti më i mirë i propagandës politike të sistemit monist. “Shumë autorë të letërsisë u ndaluan nga qarkullimi, po ashtu edhe nga teatri u kufizuan shumë autorë, madje edhe Shekspiri u zëvendësua me drama kineze, balete kineze, si dhe përkthehej literaturë nga autorë të ndryshëm po nga Kina”, - shprehet Musliu, duke shtuar se “ky reflektim i revolucionit kulturor kinez pati pasoja edhe në kinematografi”.

Regjisori shpjegon se një metodologji e tillë erdhi si pasojë e ndikimit prej revolucionit kinez, pasi në të njëjtën kohë, edhe në Kinën komuniste veprohej në mënyrë të ngjashme me privimin e të drejtës së aktorëve për të luajtur rolet e heronjve, për shkak të biografisë së dyshimtë. “Tematika e Sigurimit të Shtetit, apo në rastet kur aktori duhej të luante rolin e sekretarit të partisë, filmi identifikohej tipik prej realizmit socialist”, - thotë regjisori, duke vijuar se “aktorë, të cilët kishin kaluar nëpër filtrat e Komitetit të Partisë dhe konsideroheshin të pastër, u besoheshin role primare dhe të një rëndësie të madhe si sekretari i partisë, komisarit, apo heronjve që mbartnin ideologjinë e partisë”.

Aktorë të tillë ai përmend Tinka Kurtin, Reshat Arbanën, Ndriçim Xhepën, Margarita Xhepën, Demir Hyskjen, Stavri Shkurtin, Marjeta Larjen, Rajmonda Bulkun etj. Ai përfundon duke thënë se politika e ndarjes së roleve në varësi të biografisë u zbeh menjëherë pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën.

Përzgjedhja e aktorëve në diktaturë

Kur regjisori përzgjidhte aktorët që do të merrnin pjesë në filmin e tij, ai bazohej në disa kritere. Kriteri bazë ishte përzgjedhja e atij aktori, i cili do t’i përshtatej më së miri figurës që do të luante, të dhënat e tij artistike, psiko-fizike. Zakonisht, ndiqnin edhe një rregull ku dorëzonin në drejtori listën e aktorëve që do të interpretonin, në të cilën renditeshin nga dy kandidatura. kandidaturat e mundshme kërkoheshin pranë organeve përkatëse, si në teatër, filma etj., ku kishte aktorë që komunikonin direkt me anë të teatrit ku punonin, por kalonin edhe nëpërmjet Komitetit të Partisë, që ishte hallka më e rëndësishme dhe më e fshehtë. Kështu, pasi kalonte këtë fazë, atëherë merrej edhe aprovimi, nëse mund të pranohej ose jo një aktor. Kushti kryesor pra dilte biografia e tij politike. Njëkohësisht në kërkesën ku çdo aktor do të merrte pjesë në film, përpilohej edhe personazhi që do të interpretonte, ku bashkangjitur me të vihej edhe një biografi e shkurtër e këtij personazhi, të cilit do t’i jepej ky rol.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›