E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkesa për t’u rikthyer në fshat, i moshuari mbyt gruan



Nuk e ka mirëpritur aspak kërkesën e gruas për t’u rikthyer në fshatin ku kishin jetuar më parë. Për këtë kishin bërë sherr dy ditë më parë dhe duket sikur ujërat ishin qetësuar në familje. Por, kur mendohej se çdo gjë ishte vendosur, gjatë orëve të mesnatës, duke u gdhirë dita e djeshme, gruaja nis të bëjë valixhen gati dhe të kthehet në fshatin e saj në Pogradec. Mirëpo, ky vendim i gruas, i bërë fakt dhe i kryer prej saj, nuk është pranuar nga i shoqi, i cili nuk e mendoi aspak, por i hodhi duart në fyt dhe e mbyti. Gruaja humbi jetën menjëherë, ndërsa familjarët kanë lajmëruar me urgjencë policinë, e cila e ka gjetur të moshuarin 78-vjeçar pranë trupit të gruas 68-vjeçare me të cilën kishte kaluar dhjetëra vite martesë. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme në zonën e Sharrës, në kryeqytet. Autori i krimit është Qani Sherri, i cili i ka vënë duart në fyt gruas së tij, Zenepe Sherri. Sipas burimeve nga policia, midis dy të moshuarve kishte pasur një konflikt në mbrëmjen e ditës së martë. Gjatë marrjes në pyetje, sipas burimeve policore, autori i krimit ka deklaruar se debati kishte nisur pas kërkesës së viktimës për t’u kthyer sërish në fshatin ku ajo kishte jetuar, përpara se të vinte në Tiranë. 78-vjeçari deklaroi se ata kishin nisur të ziheshin në mbrëmjen e së martës, ndërsa ditën e djeshme në orën 03:30 të mëngjesit, i acaruar me veprimin e gruas që po bënte gati valixhen, ai nuk ka arritur të përmbahet dhe e ka vrarë atë, duke i vënë duart në fyt.

Debatet

Përplasjet e tyre kishin nisur pas pakënaqësisë së viktimës për të jetuar në shtëpinë e tyre në Tiranë dhe dëshirën e saj për t’u rikthyer sërish në vendin ku ata kishin banuar më parë, në fshatin Losnik të Pogradecit. Autori i krimit deklaroi para hetuesve se ata kishin pasur mosmarrëveshjet e para në orët e mbrëmjes të së martës. Por, me ndërhyrjen e familjarëve, dukej sikur gjërat u qetësuan disi. Por, viktima Zenepe Sherri duket se e kishte vendosur që do të rikthehej me çdo kusht në fshat. Në orën 03:30, e moshuara ishte duke vendosur rrobat në valixhe, për t’i lënë gati që të nisej në mëngjes në Losnik. Duke parë veprimet e së shoqes, me të cilën kishte gati një jetë martuar, 78-vjeçari i ka kërkuar asaj që mos ta bënte atë veprim. Viktima nuk ka pranuar dhe kanë nisur sërish konfliktet midis tyre. Debatet verbale i kanë lënë vendin dhunës fizike. I moshuari, i cili kishte dhjetëra vite që jetonte me bashkëshorten e tij, i nxehur i ka vënë asaj duart në fyt. Gjatë këtij momenti, Qani Sherri, duke mos duruar situatën, ka kryer krimin e rëndë, duke shtrënguar prej fyti viktimën deri në arritjen e asfiksisë mekanike dhe si rezultat i këtij veprimi, shtetasja Zenepe Sherri ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Me gjithë ndihmën e dhënë të moshuarës, ka qenë e pamundur që ajo të mbijetonte.

Hetimi

Policia ka shkuar në vendngjarje pas njoftimit të marrë në sallën operative. Menjëherë strukturat e hetimit të krimit të Policisë së Tiranës, me marrjen e këtij informacioni, shkuan në vendin e ngjarjes. U ngrit një grup hetimor, i cili nisi nga puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Sipas burimeve zyrtare policore, specialistët e Seksionit të Posaçëm Kundër Krimeve Ndaj Jetës dhe Shëndetit kryen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të plota për këtë ngjarje të rëndë. U grumbulluan të gjitha provat materiale si dhe u morën në pyetje familjarët e tjerë. Ndaj 78-vjeçarit janë vënë prangat, pasi ai ndodhej në shtëpi, në momentin që shkoi policia në vendin ku kishte ndodhur ngjarja. I moshuari është dërguar menjëherë në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë para gjykatës për të marrë masën e arrestit. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›