Aktorët shqiptarë vendosin Berberin e Seviljes në skenën franceze
Premiera Berberi i Seviljes e vendosur tre vjet me parë në skenën e Teatrit Kombëtar do të udhëtojë drejt Francës. Komedia do të ngjitet në teatrin e madh të qytetit Lorient, Theatre de Lorient. Kjo komedi është vënë si premierë në TK në prill të vitit 2007 me regji dhe skenografi nga Eric Vigner, as/regjisor Vasjan Lami, në interpretimin e aktorëve Luiza Xhuvanit,
Roland Trebicka, Neritan Liçaj, Helidon Finon, Fadil Kujofsa dhe Marko Bitraku. Nga drejtuesit e teatrit pohohet se realizimi i këtij turneu në Francë është përmbushje e një nga objektivave kryesore për vitin 2010 të institucionit teatror, atë të promovimit të vlerave artistike si brenda dhe jashtë kufijve si dhe shkëmbimeve kulturore mes teatrove evropianë. Prej datës 19 prill, shfaqja e vënë në skenë nga regjisori francez Eric Vigner, në sezonin teatror të 2007-ës, do të shfaqet për publikun francez deri në fund të muajit prill. Regjisori Vinje u mundua që në historinë e njohur të fusë edhe elementë shqiptarë, siç ishin veshjet me fustanella. Regjisori iu largua në vënien e tij regjisoriale skemës klasike të kësaj vepre të shkruar para Revolucionit Francez në vitin 1773. Eric Vigner e konceptoi atë si një ndeshje mes së bardhës dhe së zezës, e dukshme në kostumet, personazhet, dritëhijet, si dhe në skenografinë e realizuar prej tij. Kjo komedi vjen si një teatër muzikal. Ajo shkon përtej teatrit klasik, duke përfshirë lëvizjet, muzikën, dritën dhe hijet, dhe e gjitha kjo ka qenë një frymëzim për mua, është shprehur më parë regjisori francez. Berberi i Seviljes është prezantuar me shumë sukses edhe në skenën e festivalit teatror të Butrintit, dhe po ashtu është shfaqur dhe në festivalin KosovaInfest, ku është shpërblyer me duartrokitjet e publikut. Ky turne vijon eksperiencën workshop të dy regjisorëve fitues të Festivalit të të Rinjve 2009-2008 në Saint-Ettien të Francës në shkurt-mars 2010, ku regjisorët Alma Hoti dhe Erion Hinaj në bashkëpunim vunë në skenë premierën e Carole Frechette La piece au fond de lescalier. Ky shkëmbim eksperiencash është i pari projekt në kuadër të anëtarësimit të Teatrit Kombëtar në Unionin Evropian Teatror. Anëtarësimi në këtë organizëm ku aderojnë disa nga teatrot më të rëndësishëm kombëtarë, është një mundësi më tej bashkëpunimi dhe promovimi për teatrin shqiptar në Evropë. Këto mundësi nuk nënkuptojnë vetëm Teatrin Kombëtar, ka theksuar Skrami. Projekti i dytë nën siglën e ETC është pjesëmarrja e trupës së Teatrit Kombëtar me shfaqjen Alegreto Albania në festivalin prestigjioz të Vizbaden-Gjermani. Ky aktivitet është festivali i dramaturgjive kombëtare, ish Bienale e Bonit, që drejtohet nga shkrimtari mirënjohur Tankred Dorts dhe regjisori Manfred Beilharz dhe mbahet në qershor 2010. Për trupën e Teatrit Kombëtar, të përfaqësuar me komedinë serioze të Stefan Çapalikut Alegreto Albania, me regjisor Altin Basha janë planifikuar dy shfaqje në datat 23 dhe 24 qershor. Një nga projektet e tjera prioritare për vitin 2010 është edhe bashkëpunimi me teatrot kombëtarë të rajonit si me atë të Teatrit Kombëtar të Veriut të Greqisë, me teatrin e Selanikut si dhe atë të Podgoricës. Kështu me Teatrin Kombëtar të Selanikut është rënë dakord në parim për një paketë projektesh dhe objektivash si: Shkëmbimi i premierave, shkëmbimi i artistëve,, shkëmbimi i dramaturgjisë (5 vepra shqiptare të përkthehen në gjuhën greke për tu vënë në teatrot grekë, si dhe pesë vepra greke të përkthehen në gjuhën shqipe, duke qenë prioritar realizimi i tyre në teatrot shqiptarë). Si hap i parë i këtij shkëmbimi do të jetë turneu i tragjedisë Elektra, në mes të muajit tetor me disa shfaqje të programuara në Teatrin Kombëtar të Selanikut. Ky është kalendari artistik i turneve dhe shkëmbimit të eksperiencave ndërkombëtare të Teatrit Kombëtar për vitin 2010. Natyrisht, edhe këtë vit TK do të marrë pjesë në festivalet kombëtare dhe ndërkombëtare që do të mbahen në Shqipëri dhe Kosovë.