Kur ikën Ani
Kur ikën Ani, ndjenjat e mia për të bëhen të një natyre tjetër. Pa dyshim, unë e mohoj këtë ndryshim, mëtoj që e dua po aq e në të njëjtën mënyrë Anin, si në çastin kur ajo është e pranishme. Mirëpo, më kot. Natyrisht, dija dhe sjelljet e përgjithshme kanë mbetur të pacenuara. E di që Ani ka atë apo këtë cilësi, vazhdoj të dëshmoj besim ndaj saj, bie fjala, i shkruaj për gjithçka që më ndodh; në rast nevoje do të mbroj interesat e saj njëlloj sikur ajo të qe aty. Përveç kësaj, duhet njohur ekzistenca e ndjenjave - pasioni autentik: trishtimin, melankolinë, madje dhe dëshpërimin ku na çon kjo mungesë. Ngaqë në të vërtetë, me tepër se sa Ani ireale e mungestare, është pikërisht zbrazëtia e tashme dhe reale e jetës sonë qe i shkakton, bie fjala, është vetë fakti që të tilla gjeste, të këtilla sjellje që sapo i kishim përvijuar, bien sërish pa qëllim, duke na lënë një përshtypje padobie të padurueshmeAq sa kemi mundur të besojmë që imazhi i Anit do të ngjallte brenda meje, pothuajse të njëjtat ngacmime me Anin e vërtetë. Mirëpo, ne e dimë ndërkaq që Ani në trajtën e imazhit është e pakrahasueshme me Anin që përftojmë prej perceptimit. Ajo ka pësuar tjetërsimin e irealitetit dhe ndjenja jonë ka pësuar një tjetërsim gjegjës. Ndjenja jonë është ndalur: Ajo nuk bëhet më, mezi sa zvarritet në trajtat që ka marrë ndërkaq: në një farë mase, ajo është bërë skolastike, mund ti vëmë një emër, të klasifikojmë shpalimet e saj: këto shpalime nuk do ti tejkalojnë dot me përkufizimet e veta, janë të kufizuara saktësisht nga dija që ne kemi për to. Në të njëjtën kohë, ndjenja ka degraduar, sepse pasuria e saj, thellësia e pashtershme që ka, rridhnin nga objekti: kishte gjithmonë më shumë për të dashur tek objekti, se çdoja në të vërtetë dhe unë e dija këtë Me anë të një përmbysjeje thelbësore, tani është ndjenja ajo që prodhon objektin e vet dhe Ani ireale është vetëm gjegjësja e përpiktë e ndjenjave të mia për të. Prej këtej rrjedh që ndjenja nuk është kurrë më ajo që është. Ajo ka tashmë një varfëri të thellë. Më në fund, ajo ka kaluar nga pasive në aktive: ajo luhet, gjasmohet: duhet, besohet. Në çdo çast, ajo jepet si një orvatje e mundimshme për të rilindur Anin me mish e me kocka, sepse ndjenja e di që vetëm atëherë do të marrë sërish shtatin e saj, do të mishërohet përsëri. Ca nga ca ndjenja do të skematizohet dhe do të ngrijë në trajtat e ngurta dhe gjegjësisht imazhet tona për Anin do të bëhen të rëndomta. Evoluimi normal i dijes dhe i ndjenjës kërkon që në krye të një farë kohe kjo dashuri ta humbasë nuancën e saj të mirëfilltë: ajo bëhet dashuri në përgjithësi dhe merr trajta arsyetore në një farë mase: tashmë ajo bëhet ndjenja shabllone që përshkruajnë psikologu e romancieri. Ajo kalon te tipikja. Ngaqë Ani nuk është më aty për ti dhënë atë individualitet që e bënte një vetëdije të paepur.