Aktori Birçe Hasko feston 70-vjetorin

Birçe Hasko në filmin Përrallë nga e kaluara
Sot, Arkivi Qendror Shqiptar i Filmit feston 70-vjetorin e lindjes së aktorit Birçe Hasko, Mjeshtër i madh. Me këtë rast do të promovohet edhe albumi me krijimtarinë e tij, botim i AQSHF, si dhe do të shfaqet një montazh me disa nga rolet e tij më të spikatura në kinematografi. Hasko është një aktor i shquar më së shumti për rolet e tij të karakterit, të cilat kanë mbetur në fondin e artë të kinemasë shqiptare. Roli i tij i parë në kinematografi është në vitin 1971, ballisti në filmin Kur zbardhi një ditë të regjisorit Piro Milkani. Më tej do të vazhdonin rolet e tij në shumë filma, si ai i Mete Aliut tek filmi Radiostacioni në vitin 1979, roli i Syrjait në filmin Skëterrë 43 në vitin 1980, roli i profesorit në filmin Gurët e shtëpisë sime në vitin 1985, si dhe shumë role në filma të tjerë për të mbërritur në rolin e tij më të fundit, në filmin Kronikë Provinciale në vitin 2009. Në karrierën e tij të gjatë e të suksesshme në kinematografi, Birçe Hasko është vlerësuar me çmime, tituj, urdhra e medalje të ndryshme. Në vitin 1976 vlerësohet me urdhrin Naim Frashëri të klasit të dytë, në vitin 1988 merr titullin e lartë Artist i Merituar. Në festivalin e shtatë të Filmit Shqiptar, në 1987-n, merr Medaljonin e Festivalit për interpretimin e rolit të dajës në filmin Dhe vjen një ditë të Vladimir Priftit. Në vitin 2002 merr titullin Mjeshtër i Madh nga Presidenti i Republikës dhe po këtë vit shpallet Qytetar Nderi i Orikumit etj.