Bie në pranga 41-vjeçari, u kap në hotel me prostitutën
Tiranë, 4 të arrestuar për prostitucion në hotelet e autostradës.
Katër persona, përfshi prostitutën dhe klientin e saj, u arrestuan dje në një operacion të Policisë së Tiranës. Mes të arrestuarve është edhe personi që i kishte siguruar vajzës 23-vjeçare dhe klientit të saj një dhomë hoteli në afërsi të Sukthit, në autostradën Tiranë-Durrës. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë dje se gjatë operacionit të koduar “Fshehtësia”, u bë arrestimi i dy tutorëve të vajzës, Fatmir Lizi, 38 vjeç, i dënuar më parë për vrasje në Itali në vitin 1995 dhe Niva Kokolari (Dalipi), 25 vjeç. Policia tha se u arrestua edhe 23-vjeçarja Eljana Trushaj, 23 vjeçe, për ushtrim prostitucioni, si dhe klienti i saj, që kishte paguar 50 euro për dy orë, Ardian Keçi, 41 vjeç, i dënuar më parë për plagosje. Lidhur me arrestimin e Keçit, burime nga grupi hetimor sqaruan se ai është arrestuar për sigurimin e ambienteve për shfrytëzim prostitucioni, pavarësisht se ishte vetë klienti. Pavarësisht miratimit në Komisionin e Ligjeve të ndryshimeve në Kodin Penal, ku shtohet një paragraf që sanksionon edhe klientin e prostitutës, burimet sqaruan se Keçit nuk mund t’i shtohet akuza më e re, “dhënie shpërblimi për përfitim personal të prostitucionit”. Kjo për shkak se Kodi i ri Penal ende nuk ka hyrë në fuqi.
PROSTITUCIONI
Pas hetimeve 3-mujore, në kuadër të një procedimi penal për “shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese”, të kryer me metoda speciale hetimi, policia e kryeqytetit bëri të mundur dje arrestimin e katër personave. Gjatë aksionit të koduar “Fshehtësia”, gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, oficerët e Trafiqeve të Paligjshme kanë kapur në flagrancë në dhomën e një hoteli në afërsi të Sukthit, Eljana Trushajn, 23 vjeçe, e cila po ushtronte prostitucion me klientin që kishte paguar 50 euro. Ndërsa disa orë më pas, grupi operacional ka arritur të arrestojë edhe dy tutorët, për të cilët kishte nisur procedimi penal 3 muaj më parë, Fatmir Lizin dhe Niva Kokolarin (Dapilin). Sipas burimeve zyrtare të Policisë, “shtetasja E. T. është kapur duke kryer marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës me shtetasin A. K., ndërsa Niva Kokolari (Dalipi) dhe Fatmir Lizi kanë ndërmjetësuar me qëllim shfrytëzimin për prostitucion të saj”.
KLIENTI
Me ndryshimet më të fundit në Kodin Penal, që u miratuan më 27 shkurt të këtij viti në Komisionin e Ligjeve, ligji parashikon edhe dënimin e klientit. Në nenin 113 të Kodit Penal është shtuar një paragraf, “dhënia e shpërblimit për përfitim personal të prostitucionit”, i cili tashmë do të parashikojë gjobën ose dënimin deri në tre vjet burg edhe të klientit. Ndërsa tutori, sipas formulimit të nenit 114, dënohet me gjobë deri në 5 vjet burg për shtytje, ndërmjetësim, dhënie ose marrje shpërblim për ushtrimin e prostitucionit.
TE ARRESTUAR
1. Fatmir Lizi 38 vjeç
shfrytëzim prostitucioni
2. Ardian Keçi 41 vjeç
klient i 23-vjeçares
3. Eljana Trushaj 23 vjeçE
ushtrim prostitucioni
4. Niva Kokolari (Dalipi) 25 vjeç
shfrytëzim prostitucioni
ETLEVA DELIA