E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, pas Prokurorisë, edhe 19 avokatë paralajmërojnë apelim

Gjyqi i Gerdecit

TIRANE Pas paralajmërimit të Prokurorisë për apelimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës për dosjen Gërdeci, vjen edhe reagimi i avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Pothuajse të gjithë të dënuarit, 19 persona, përfshi edhe kompaninë Albademil si person juridik, kanë paralajmëruar se do ta çojnë çështjen në Gjykatën e Apelit për kundërshtim të vendimit të dhënë nga Shkalla e Parë. Në dukje formalisht, vendimi i Gjykatës së Tiranës i ka lënë të pakënaqura të dyja palët, ndërkohë që e para që ka paralajmëruar apelimin ka qenë Prokuroria. Procedura e ankimit mbi një vendim parashikon që apeluesi të paraqesë vendimin që do të godasë në rrugë ligjore, mirëpo për shkak të materialit voluminoz, Gjykata e Tiranës nuk ka arritur ende ta zbardhë materialin në fjalë. Megjithatë, sipas burimeve nga Prokuroria, organi i akuzës do të bëjë apelim duke paraqitur vendimin e shkurtuar. Ditën e shpalljes së vendimit, Gjykata e Tiranës u shpërndau palëve listën me emrat e të pandehurve, akuzat për të cilat ata janë shpallur fajtorë ose të pafajshëm dhe masat e dënimit për ata që u deklaruan të fajshëm. Prokuroria dhe avokatët e kanë marrë këtë dokument dhe mbi bazën e tij do të bëjnë apelim për të kapur afatet ligjore, që janë pesë ditë nga momenti i shpalljes së vendimit. Prokuroria ka pohuar se apelimi i saj do të jetë në dy linja: për rrëzimin e akuzës së vrasjes që ishte ngritur ndaj katër të pandehurve, Dritan Minxolli, Ylli Pinari, Sokol Ngjeçi dhe Mihal Delijorgji, si dhe masat e dënimit të dhëna në tërësi për të pandehurit. Prokuroria kishte kërkuar tri burgime përjetë, por në fakt dënimet më të rënda që u dhanë nga gjykata ishin 18 vjet. Nga ana tjetër, avokatët e të dënuarve kanë paralajmëruar apelim gjatë kësaj jave me kërkesën për pafajësi për klientët e tyre. Gjatë gjykimit të çështjes në Gjykatën e Tiranës, asnjë nga të pandehurit e Prokurorisë nuk e pranoi akuzën, ndërsa në pretencën e mbrojtjes ata kërkuan të gjithë pafajësi. Të pandehurit kryesorë, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli, si dhe kompania Albademil, kundërshtuan edhe pistën e Prokurorisë duke pretenduar për një shpërthim të qëllimshëm. Pak ditë më parë, pas tri vitesh proces, Gjykata e Tiranës dha 94 vjet burg në total për 19 të pandehur të tragjedisë së Gërdecit, nga 29 persona që ishin vënë nën akuzë nga gjykata.

Familjarët e viktimave
Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit e kanë pritur me protestë vendimin e gjykatës. Zamira Durda, nëna e një fëmije 7 vjeç që humbi jetën në Gërdec, mbajti të mbyllur derën e gjykatës për tri orë në ditën e shpalljes së vendimit. Të afërmit e viktimave kanë deklaruar se do ta çojnë çështjen në Strasburg në rast se dënimet nuk ashpërsohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›