Hajduti i mitur thyen krahun, e zbuloi pronari duke vjedhur
KAVAJE – Adoleshenti 12-vjeçar thyen krahun teksa largohej me vrap nga një garazh ku kishte hyrë për të vjedhur dhe u zbulua nga pronari. Nga frika se mos e kapte pronari i ndërtesës ku ishte futur, hajduti i mitur ka dalë me nxitim duke u larguar nëpër errësirë, ndërsa e ndiqte nga pas pronari i garazhit, Besnik Serati. Autori i ngjarjes, që njëkohësisht është edhe i dëmtuar me një frakturë në krah, sipas Policisë, është 12-vjeçari Rafaelito D. Burime nga Policia e Kavajës thanë se ngjarja ka ndodhur në një banesë private pranë Rrogozhinës, kur Besnik Serati, 52 vjeç, ndodhej në shtëpinë e tij dhe ka dëgjuar një zhurmë që vinte nga garazhi ngjitur. Nga frika se po i vidhnin makinën, ai ka dalë me nxitim nga shtëpia dhe sapo i është afruar derës së garazhit, ka parë që brenda ishte një djalë i mitur, të cilit i ka bërtitur duke e pyetur se çfarë donte në pronën e tij. Në këtë moment, Rafaelito D., i cili kishte hyrë për të vjedhur, ka nxituar duke dalë jashtë garazhit nga frika e pronarit, si dhe duke menduar se ai kishte lajmëruar policinë. Por, Besnik Serati i është vënë pas duke e ndjekur këmba-këmbës për rreth 200 metra, derisa 12-vjeçari është penguar dhe është rrëzuar. Nga përplasja e fortë në tokë, i mituri ka dëmtuar krahun dhe nuk ka mundur të lëvizë më nga vendi i ngjarjes, duke u mbajtur aty nga Serati deri kur mbërritën policët e Komisariatit të Kavajës. I mituri është transportuar në Spitalin e Durrësit, ku është konstatuar se kishte thyer krahun.