Helena Kadare, një grua nga Tirana në Lajpcig

Helena Kadare, në Panairit e Librit
Me një stendë më të madhe dhe një program të larmishëm vjen Shqipëria në Panairin e Librit në Lajpcig (Leipzig 2012: autorë, studiues, botues dhe një grup muzikor do tu ofrojnë vizitorëve të panairit një pasqyrë të skenës kulturore tashmë të institucionalizuar të Shqipërisë. Ndërsa Kosova, e cila vjen për herë të parë, paraqitet më alternative.
Politike, lirike, femërore, erotike – do të jetë letërsia shqipe që do të njohin këtë vit lexuesit në Panairin e Librit në Lajpcig. Shoqata e Botuesve Shqiptarë (SHBSH) ka shfrytëzuar festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë për ta forcuar praninë e saj të dytë në këtë panair, i cili me rubrikën Leipzig liest (Lajpcigu lexon) konsiderohet si festa më e madhe e lexuesve në Europë. 2600 aktivitete në 350 pika të ndryshme mbahen në kuadër të panairit, e ndër to ka edhe një seri aktivitetesh me autorët shqiptarë. Pjesëmarrja jonë e parë në vitin e kaluar na shërbeu të njihemi më mirë me natyrën e veprimtarive në Panairin e Librit të Lajpcigut, prandaj edhe arritëm të bënim një negocim më të mirë të temave, thotë për Deutsche Welle-n drejtuesi i SHBSH-së, Petrit Ymeri.
Helena Kadare me orë letrare
Në krye të autorëve shqiptarë këtë vit është një grua: Helena Kadare, e cila në Panairin e Tiranës 2011 u shpall Autorja e vitit. Ajo është e vetmja që në Lajpcig prezantohet para publikut në një orë letrare solo me Një grua nga Tirana (17 mars). Përkthimi i Basil Schaderit me titullin Eine Frau aus Tirana ka dalë në treg në vitin 2009 në shtëpinë botuese vjeneze Residenz. Kadare merr pjesë nesër edhe në një diskutim të udhëhequr nga përkthyesja Elvana Zaimi për rolin e femrës në letërsinë e sotme shqipe. Me të diskutojnë Lindita Arapi, e cila me debutimin e saj në prozë të gjatë Vajzat me çelësat në qafë u shpall po më 2011-n shkrimtarja më e mirë e vitit nga akademia Kult, docentja e letërsisë në Universitetin e Tiranës Persida Asllani dhe autoren e re nga Kosova, Blerina Rogova Gaxha.
Me gra përfaqësohet Shqipëria edhe në një diskutim të shtunën (17 mars) me titullin Homo politicushomo poeticus për ndikimin e politikës në letërsi, ku dy docentet e Universitetit të Tiranës, Dhurata Shehri dhe Lili Sula, do të bisedojnë me kolegë nga Bullgaria dhe Rumania. Gratë diskutojnë paradite për politikën, burrat pasdite për lirikën: Agron Tufa, Ermir Nika dhe Romeo Çollaku do ta njohin publikun të shtunën me veçoritë e këtij zhanri në shqip. Pika kulmore e prezantimit të Shqipërisë mendohet të arrihet në mbrëmjen e së shtunës, pak para mesnate, në Natën Ballkanike, me një shfaqje të kuartetit të harqeve të TVSH-së dhe një temë që i përshtatet orës së vonë: Erotika në letërsinë shqipe.
Më shumë fonde zyrtare
Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur programi ishte financuar në një pjesë shumë më të madhe nga të huajt, këtë radhë është Shqipëria ajo që ka dhënë kontributin kryesor, thotë për Deutsche Welle-n, bashkëpunëtorja e TRADUKI-t dhe hartuesja e programit të Europës Juglindore, Alida Bremer. Kryetari i SHBSH-së, Petrit Ymeri, thotë se një pjesë e fondeve vijnë nga Ministria e Kulturës. Ne kemi marrëdhënie të mira bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës, kemi edhe një marrëveshje bashkëpunimi trevjeçar për pjesëmarrjet dhe paraqitjet e kulturës e të letërsisë shqipe në Panairin e Librit të Lajpcigut, dhe kjo është një mbështetje më shumë për të realizuar objektivat tanë, botues e autorë së bashku. Duhet kuptuar që kjo pjesëmarrja jonë e organizuar në Lajpcig nuk është biznes, por është në shërbim të kulturës shqiptare, është një përpjekje për të paraqitur një pjesë të saj në këtë dritare të bukur europiane, siç është Panairi i Librit.
(Marrë nga
Deutsche Welle)