Plagoset 21-vjeçari, te Gjuhët e Huaja
TIRANE – Një konflikt i ashpër ka ndodhur mesditën e së martës në hapësirën mes konviktit dhe Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja te Rruga e Elbasanit në Tiranë. Një djalë 21 vjeç është sulmuar nga 20 adoleshentë, nxënës të Gjuhëve të Huaja, të cilët e kanë rrahur dhe goditur me sende të forta pothuajse në të gjithë pjesët e trupit. Por goditjet më të rënda i riu i ka pësuar në kokë, madje sipas mjekëve të Spitalit Ushtarak, ai ka pësuar edhe tronditje në tru. Ngjarja ka ndodhur pas një telefonate që Artan A. ka marrë nga e fejuara e tij, e cila ishte nxënëse e shkollës së Gjuhëve të Huaja. Sipas Policisë, ajo i ka kërkuar të fejuarit të saj që të shkonte ta takonte, pasi dy djem e kishin “ngacmuar” duke lëshuar ndaj saj edhe fyerje të ndryshme. Kaq ka mjaftuar që 21-vjeçari të nisej menjëherë drejt shkollës së vajzës dhe i ka kërkuar t’i tregonte se cilët ishin personat që i kanë rënë në qafë. Vajza është nxituar t’u tregojë emrat e nxënësve, por edhe gjithë debatin që kishte bërë me ta, pa menduar se kjo mund t’i kushtonte shtrenjtë të fejuarit të saj, i cili për më tepër ishte vetëm. Artani ka thirrur dy adoleshentët që të sqaroheshin jashtë ambienteve të konviktit dhe ka nisur të debatojë me ta në rrugë. Por debati është parë nga shokët e klasës së dy gjimnazistëve, të cilët kanë dalë me nxitim dhe kanë ndërhyrë për të mësuar se çfarë po ndodhte. Kaq ka mjaftuar që të ndizej konflikti dhe rreth 20 nxënës kanë filluar të godasin 21-vjeçari Artan A. me grushte, shkelma e sende të forta në sy të të fejuarës së tij, e cila kërkonte ndihmë. Pasi e kanë lënë të gjakosur në trotuar, djemtë janë larguar dhe në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e policisë së Komisariatit Nr. 1. I riu është transportuar në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa nëpërmjet të deklarimeve të të fejuarës së tij, policia ka identifikuar dhe shoqëruar autorët e sulmit.