E Diel, 1 Nëntor 2026

Aktori Nik Xhelilaj, një ndër 10 talentet e reja të Evropës

16/12/2010  Fati ka qenë me Nik Xhelilajn. Këto kohë aktori i ri është vlerësuar së shumti, jo vetëm në hapësirën shqiptare, por edhe në atë evropiane e botërore. Lajmi më i fundit konfirmon se ai është shpallur si një nga 10 talentet e reja të Evropës. Klasifikimi është bërë nga juria e “Shooting Stars“ - “European Film Promotion”. Prej majit të vitit 2010 edhe Shqipëria përfaqësuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë është anëtare e European Film Promotion (EFP), i cili është rrjeti i vetëm ndërkombëtar, që organizon promocion dhe marketim të kinemasë evropiane në mbarë botën. Shqipëria mori pjesë këtë vit për herë të parë në programin që ofron EFP të quajtur “Shooting Stars”, i cili që prej vitit 1998 bën prezantimin e aktorëve të rinj dhe të talentuar evropianë. Të 31 vendet anëtare të EFP-së kandiduan me aktore/aktorë në bazë të kritereve të përcaktuara nga programi, si: mosha, përfaqësimi i aktorit, në të paktën 2 role kryesore në filma artistikë, pjesëmarrja e aktorit me një film, i cili po qarkullon momentalisht në festivale ndërkombëtare dhe minimumi një çmim i aktorit me filmin në fjalë, si edhe rezonancë pozitive të aktorit dhe të filmit. Juria e përzgjedhur nga EFP (aktorja gjermane Heike Makatsch, regjisori danez Ole Christian Madsen, producenti francez Cédomir Kolar, casting director Lina Todd nga SHBA dhe autori dhe kritiku britanik i filmit Derek Elley) midis shumë kandidatëve nga e gjithë Evropa, zgjodhi 10 aktoret/aktorët më të mirë, për t’i promovuar si talentet e vitit 2011 në Kinematografinë Evropiane, ndër të cilët bën pjesë edhe aktori shqiptar Nik Xhelilaj, i përfaqësuar më filmin “Shqiptari”. Shtypit, industrisë së filmit dhe publikut do t’u prezantohet vala më e re e talenteve nga Evropa, nëpërmjet një serie eventesh specifike që do të zhvillohen gjatë ditëve të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin (10-20 shkurt 2011), ku do të celebrohet dhe nderohet me çmim edhe aktori përfaqësues i Shqipërisë Nik Xhelilaj së bashku me 9 aktorët e tjerë fitues, për të vazhduar më pas me një tur në disa nga festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare mbarë botës, si Sundance, Rome, Cannes etj.

B.Goce

“Yjet” evropiane të 2011-ës

Mbretëria e Bashkuar: Andrea Riseborough (Brighton Rock)

Shqipëria: Nik Xhelilaj (The Albanian)

Kroacia: Marija Skaričić (Mother of Asphalt)

Gjermani: Alexander Fehling (Goethe!)

Repulika e Maqedonisë: Natasha Petrovic (As If I Am Not There)

Irlandë: Domhnall Gleeson (True Grit)

Suedi: Alicia Vikander (Pure)

Spanjë: Clara Lago (Bunker)

Holandë: Sylvia Hoeks (Tirza)

Danimarkë: Pilou Asbæk (R)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›