E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vepra solistike, korale dhe valse nga Shtraus në Grand Ballo

Mbrëmja e bazuar mbi traditën vjeneze mbyll sezonin artistik në TKOB
Muzikë, vallëzime dhe balet do të jetë mbrëmja e fundit muzikore në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në këtë fundviti. Grand Ballo quhet mbrëmja e datë 30 dhjetor, e cila kësaj radhe është dhe dhurata që kanë përgatitur drejtuesit e këtij institucioni me rastin e fundvitit. Kjo mbrëmje e veçantë muzikore mbyll dhe sezonin artistik të këtij institucioni. Është bërë traditë tani që në TKOB prej vitesh realizohet Grand Ballo, e cila është një

mbrëmje e bazuar në traditën vjeneze, ku mbizotërojnë valset e Shtrausit. Në program janë pjesë koreografike dhe orkestrore të traditës vjeneze. Vepra solistike dhe korale. Valse dhe vallëzime bashkëkohore për publikun. Me këtë mbrëmje TKOB sjell atmosferën e Krishtlindjeve dhe traditën muzikore vjeneze në prag të Vitit të Ri 2010. Luan Orkestra Simfonike e Teatrit të Operës dhe Baletit nën drejtimin e dirigjentëve Gridi Krajka, Petrika Afezolli dhe Edmond Doko. E ftuar kryesore e mbrëmjes është sopranoja Oriana Kurteshi. Ideator i koncertit është prof. Zhani Ciko. Merr pjesë edhe trupa e baletit me koreograf Agron Alija dhe Enada Hoxha. Për publikun do të këndojnë dhe arie sopranoja Eva Golemi si dhe tenori Armaldo Kllogjeri. Sa i takon pjesëve të baletit ato do vijnë nga premiera e fundit në këtë institucion, baleti Arrëhtyesi. Grand Ballo do të startojë në orën 20 të mbrëmjes së 30 dhjetorit, duke sjellë para publikut një atmosferë vërtetë të mrekullueshme. Në ndryshim nga festat që janë zhvilluar deri tani, kjo mbrëmje është huazuar nga tradita vjeneze e ballove dhe sjell një atmosferë vërtetë mondane. Protagonistët e këtij koncerti do të jenë veshur shumë bukur, duke sjellë në skenën e TOB vërtetë një atmosferë vjeneze balloje. Protagonistët e kësaj mbrëmjeje do të jenë veshur me veshje tradicionale të ballove, ku do të mbizotërojnë fustanet klasike dhe kostumet shik. Spektakli Grand Ballo do të ketë një skenografi të veçantë, ku do të mbizotërojë valsi, i cili do të sjellë një atmosferë të vërtetë mbresëlënëse në skenën e TOB. Por, nga organizatorët është menduar që kësaj mbrëmjeje ti shtohen edhe shumë elementë të tjerë që i kanë munguar edicioneve të mëparshme. Ndërkohë që në datën 25 dhjetor në skenën e këtij institucioni u shfaq koncerti Holli Night, me pjesë të zgjedhura korale dhe solistike, me rastin e Krishtlindjeve. Dirigjent Kori  ishte mjeshtri Dritan Lumshi, Koncert maester, Thanas Paskali. Morën pjesë solistët, Kori i TKOB  si dhe Kori i Fëmijëve i shkollës Servete Maçi.Pak histori mbi ballot VjenezeFillimi i ballove vjeneze nis me situata që nuk ngjajnë aspak me Vjenën e sotme. Ato nisin me pjesë të muzikës të shkurtra të quajtura lingler. Karakteri i tyre popullor bënte që ato të ekzekutoheshin në restorante të traditës vjeneze. Të vendosur në kodra vetëm në këto restorante gërshetohej kuzhina së bashku me muzikën vjeneze dhe vallëzimin. Këto ishin ambiente ku nuk mungonte gëzimi dhe ishin orkestrat e këtyre vendeve, të cilat luanin muzikë pa partitura në këto pjesë muzikore. Pjesë e këtyre familjeve ishte edhe ajo e Shtrausit, e cila këtë traditë e çoi edhe më përpara. Këtu filloi edhe kultivimi i kësaj muzike dhe rryma popullore u çua më përpara. Rryma popullore u fut në traditën e operetës dhe ata u bënë mbretërit e kësaj tradite. Kështu nga forma popullore siç ishte valsi ai mori përmasa të një vepre krijimi simfonik. Pas kësaj u krijuan suita të tëra vallesh, të cilat nga një krijim i thjeshtë popullor që interpretohen me dy apo tre instrumente u bënë vepra të orkestruara tradita e të cilave vazhdon edhe sot. Këtu bën pjesë edhe valsi, marshi etj, që familja e Shtrausit dhe të tjerë kompozitorë të asaj kohe i zhvilluan aq shumë sa edh sot ato janë vepra vërtetë të mrekullueshme.
 
Nga Julia Vrapi

Last Updated on E Shtune, 26 Dhjetor 2009 21:06

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›