Regjisorja Driada Dervishi sjell për herë të parë dramën e Eugene O'Neill
Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit do të festojë 57-vjetorin e krijimit të tij me një vepër krejtësisht të veçantë, e cila vjen për herë të parë në një skenë shqiptare. Regjisorja Driada Dervishi ka vendosur që me këtë rast të ngjisë në skenë “Ana Kristin”, veprën e autorit amerikan Eugene O'Neill. Drama, e cila do të vihet në skenë më 10 janar, u paraprin festimeve të 11 janarit, pikërisht ditës kur edhe u krijua Teatri i Durrësit.
“Ana Kristi”, e cilësuar si një prej dramave më të mëdha të krijuara në shekullin XX, sjell historinë e një prostitute, e cila bie në dashuri. Gruaja has vështirësi të cilat ia kthejnë jetën përmbys. Shfaqja vjen me një tingëllim tejet njerëzor dhe të vërtetë, me momente kulminante e dramatike. E shkruar nga dramaturgu amerikan, Eugene O`Neill, fitues i 4 çmimeve “Pulitzer” dhe çmimit “Nobel” për letërsi, “Ana Kristi” është një pjesë veçanërisht tërheqëse.
Nëse “Një udhëtim i gjatë brenda natës” është kryevepra e Eugene O'Neillit, “Ana Kristi” vjen menjëherë pas saj dhe është vepra e tij më e njohur dhe më e shfaqur nëpër skenat e teatrove botërorë, pas premierës së saj në vitin 1921, në Broadway, në Teatrin Vanderbilt. Kjo vepër është një studim i jetës moderne, e cila dramatizon përzierjen e komedisë dhe tragjedisë, karakteristika të përjetshme të jetës. “Ana Kristi” u rishikua dhe pati ndryshime të shpeshta nga Eugene O'Neill. Suksesi i kësaj drame e ndihmoi O'Neill-in të fuqizonte reputacionin e tij si një nga dramaturgët më të mirë amerikanë.