Aktorja u emërua në fund të muajit dhjetor nga ministri Xhaferri
Elvira Diamanti do të jetë drejtoresha e re e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Aktorja ka zënë vendin e mbetur bosh pas largimit të regjisorit Artan Minarolli, të cilit iu besua një tjetër post drejtues, ai i drejtorit të Qendrës Kombëtare Kinematografike. Lajmi është bërë zyrtar më 30 dhjetor të vitit që sapo lamë pas. Ka qenë Ferdinand Xhaferri, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ai që ka emëruar Diamantin në krye të këtij institucioni në të cilin Elvira vendoset pas detyrës si shefe protokolli pranë Presidencës së Republikës.
Elvira Diamanti lindi më 30 nëntor të vitit 1962 në qytetin e Vlorës. Ka filluar karrierën e saj si artistike me rolin e Teutës, në filmin “Radiostacioni”, 1979, me regji të Rikard Ljarjes. Më pas do të vazhdonin shumë role në kinematografi dhe në teatër, por roli që e bëri të njohur është ai i Marigosë në filmin “Përrallë nga e kaluara”, në vitin 1987.
Pikërisht me këtë rol ajo u vlerësua me çmimin e tretë në Festivalin VII të Filmit Shqiptar në vitin 1987. Në vitin 1988 diplomohet në Institutin e Lartë të Arteve, sot Akademia e Arteve të Bukura. Ka punuar deri në vitin 2002 në Teatrin Kombëtar dhe që prej këtij viti ishte drejtoreshë e Teatrit Kombëtar të Fëmijëve (ish-Teatri i Kukullave) deri në vitin 2008. Më pas punoi si shefe protokolli pranë Presidencës së Republikës. Roli i fundit kinematografik në të cilin ka interpretuar aktorja Elvira Diamanti ka qenë në filmin “Ne dhe Lenini”, me regji të Saimir Kumbaros. Ajo është shfaqur pas një mungese të gjatë në film e teatër.