E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aktorja Xhulia Roberts, spiune në "Millennium"

 

Kush e ka admiruar vite më parë, ciftin Roberts-Owen, në filmin "Closer" ka një shans të dytë për t'i parë së bashku e për të shijuar sërish protagonizmin e tyre. Prej disa ditësh, në kinema "Millennium" po shfaqet "Duplicity", një histori spiunazhi dhe dashurie në të njëjtën kohë, ku ajo dhe ai janë pikërisht Xhulia Roberts dhe Clive Owen. Dy aktorë që përputhen mrekullisht në krah të njëri-tjetrit, duke marrë miratimin e publikut dhe të kritikës për lojën e tyre aktoriale. "Historia flet për një burrë e një grua, të cilët ndonëse janë shumë të dashuruar nuk arrijnë të mos grinden dhe t'i besojnë njëri-tjetrit, është një lloj marrëdhënie shumë stimuluese me të cilën publiku zbavitet shumë" shprehet Clive Owen. Filmi i përkufizuar si një "spy story" i përzier me "screwball comedy", është vlerësuar si një gërshetim i përsosur i kinemasë së ditëve të sotme dhe atë të viteve '70. Përveç këtyre dy aktorëve në film janë përfshirë edhe Tom Wilkinson dhe Paul Giamatti, të cilët në film interpretojnë dy drejtuesit e kompanive rivale, ku janë punësuar protagonistët. I gjithë filmi vjen nën skenarin e regjinë e Tony Gilroy, i cili prej suksesit me filmin e tij të parë si regjisor "Michael Clayton" është afirmuar plotësisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›