E Shtunë, 31 Tetor 2026

Folku ballkanas mblidhet në Vlorë

 

Festivali Folklorik Ndërkombëtar "Aulona International Folk Festival", nisi mbrëmjen e së shtunës në skenën e Teatrit "Petro Marko", në qytetin e Vlorës. Grupet "Shote Galica"(Drenas-Kosovë), "Porta di Danza" (Mali i Zi), "Cerçiz Topulli" (Gjirokastër), "Mirçe Açev" (Shkup-Maqedoni), ishin konkurrueset e natës së parë të këtij aktiviteti, që do të zhvillohet përgjatë tre netëve në qytetin e Vlorës. Artistët popullorë sollën për publikun vlerat e traditës së folklorit të trevave të ndryshme. Artistët e grupit të Drenasit (Kosovë), nga të cilët 5 instrumentistë dhe 6 valltare u duartrokitën gjatë për performancën që shfaqën në skenë. Më pas, skena e këtij festivali u zhvendos në pjesën jokonkurruese, në një mjedis të improvizuar në sheshin përpara stadiumit "Flamurtari". Qindra qytetarë, ndoqën deri në orët e vona të natës, shfaqjen e grupeve të Vaut të Dejës, "Meçovo"(Greqi), "Zeljezniçar"(Zagreb-Kroaci), "Burimet e Sharrit"(Tetovë-Maqedoni), të cilat krijuan një atmosferë festive në këtë pjesë të qytetit. Janë 9 grupe folklorike nga vendi dhe të huaja, që marrin pjesë në Festivalin Ndërkombëtar, "Aulona International Folk Festival", që do të zhvillohet përgjatë tre netëve në qytetin e Vlorës. Nata e tretë e tij, do të shfaqet për publikun e gjerë, në mjedis të hapur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›