Arian Çani rrëfehet në skenën e teatrit
ALMA MILE
Ai u hoqi kollaret politikanëve, në një kohë kur të gjithë ishin mësuar t'i shihnin veçse të kollarisur, brenda formateve standarde televizive. U nxori të lara e të palara artistëve, duke u kthyer në një fenomen. E Arian Çani nuk ndalet. Tani ka vendosur të krijojë një "Zonë të lirë" vetëm për veten. Nuk ka kamera, nuk ka të ftuar, por një publik, që do paguajë biletën, për të dëgjuar atë. Prej pak ditësh, në qendër të kryeqytetit janë vendosur disa postera të mëdhenj. Ai, që gjatë gjithë kohës tenton që të mos lërë gjë të fshehtë, u kërkon të tjerëve të mbajnë një sekret, i cili në të vërtetë do të zbulohet vetëm pas pak ditësh. Është lajmërimi për një spektakël të veçantë, e një sprove të radhës. "One man show" është spektakli teatror, që gazetari i njohur Arian Çani ofron për publikun në skenën e re të Teatrit të Metropolit. Është një zhanër, i panjohur për skenën shqiptare, që Çani e eksperimenton për herë të parë, duke filluar nga data 17 maj. Histori dhe situata plot humor të zi do ta shoqërojnë publikun gjatë gjithë shfaqjes. "Ej, mos i thuaj njeriu!", kështu ka vendosur ta quajë spektaklin teatral, Çani. Për ata që janë mësuar ta shohin brenda kuadratit të televizionit, çdo të premte në emisionin "Zonë e lirë", ajo çka gazetari do të ofrojë në "One man show", është krejtësisht ndryshe. Nuk është aktori tipik, por rrëfimtari, i cili qëndron i vetëm në skenë. Nuk do të jetë i rrethuar nga politikanë, njerëz të shoqërisë civile, artistë të njohur dhe ata që tentojnë të jenë, këngëtare me minifunde, apo njerëz që nuk i njeh askush, por që gjithsesi, kanë diçka për të thënë. Gjithçka që Çani nuk ka rrëfyer dot nga ekrani, do ta ofrojë në një skenë teatri, ku kësaj here është ai që flet, pa e ndërprerë kush, është ai që rrëfehet dhe i përçon publikut, duke e parë në sy, perceptimin e tij mbi botën, mbi njeriun, mbi fenomene e gjëra të përditshmërisë. Thelbi i këtij show teatral është çmitizimi i disa fenomeneve moderne të jetës sonë të përditshme. Një këndvështrim shumë interesant, provokues, origjinal dhe subjektiv. Një komunikim i drejtpërdrejtë, interaktiv që tenton të sjellë në vëmendje ngjarje, situata dhe rrethana, të cilat i përjetojmë çdo ditë në forma të ngjashme. Fenomene të shndërruara në "mite moderne", që ne i ndeshim rëndom dhe gjithandej në jetën tonë, si publiciteti, spoti i Pangos, modeli i ri i rrobave të banjës, të varfrit, klasa politike dhe zgjedhjet e 28 qershorit, televizioni si një makth, fatura e një shfaqjeje në teatër, "dhimbja" para ndarjes me publikun, etj... Dhe gazetari, këtë herë mban një qëndrim të hapur ndaj këtyre "miteve" moderne, duke i "zhveshur" nga "aureola" mitike, por pa ua zbehur vlerën dhe rëndësinë e tyre. Me pak fjalë, një rrëfim që mbështetet në detaje dhe histori të thjeshta, të cilat njerëzit shpesh i thonë me zë të ulët. Ashtu si edhe herë të tjera, në të tjera forma, Çani merr kurajën t'i tregojë me zë të lartë...
Shfaqja
"One Man Show"- Shfaqje me një aktor të vetëm në skenë.
Titulli: "Ej mos ia thuaj njeriu!"
Ideja dhe skenari: Arian Çani
Aktor: Arian Çani
Regjia: Hervin Çuli
Grafic designer: Kliton Kuka
Muzika: Dj Çerri
Fotografia: Geliand Kaleci
Skena: Teatri i Metropolit (pas Muzeut Kombëtar)
Data: Duke filluar nga 17 maji
Ora: 20:00