E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akulli, dy vëllezër në humnerë

 

PUKE/ RIDVAN DIBRA

Dy vëllezër bien 150 metra poshtë në humnerë, pasi mjeti me të cilin po udhëtonin rrëshqiti në akull. Për pasojë, njëri prej tyre gjeti vdekjen, ndërsa tjetri ndodhet në gjendje tepër të rëndë në spitalin e Shkodrës. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 06:00 kur vëllezërit Ndue dhe Zef Nikolli nga Mirdita u aksidentuan në vendin e quajtur Qafë Çelë në aksin Pukë-Shkodër. Viktimat po udhëtonin me një automjet tip fuoristradë me targë të huaj, FR RF 119. Gjatë lëvizjes së makinës në këtë aks me borë dhe ngricë, mjeti ka humbur kontrollin duke rënë në humnerë. Ndërsa rrëzohej në greminë, makina ka nxjerrë përjashta njërin prej vëllezërve, Ndue Nikolli, 27 vjeç. Ndërsa vëllai i tij, Zef Nikolli, 34 vjeç ka rënë bashkë me mjetin në fund të humnerës. Për pasojë ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Sipas policisë, në drejtimin e mjetit ka qenë i mbijetuari. Ai ka mundur të dalë, duke u zvarritur në aksin nacional nga ku ka njoftuar drejtuesit e rastit që po lëviznin me mjetet e tyre. Këta të fundit kanë vënë në dijeni menjëherë policinë për ngjarjen e ndodhur, ndërsa i plagosuri është çuar me urgjencë në spitalin e Shkodrës. Shërbimet policore të Shkodrës dhe të Pukës bënë të mundur nxjerrjen e viktimës vetëm pas rreth katër orësh, për shkak të terrenit të thyer dhe akullit. Grupi hetimor në vendngjarje konstatoi se segmenti rrugor në të cilin ndodhi aksidenti kishte pjesë me akull. Punonjësit e mirëmbajtjes së rrugëve kishin hedhur skorje për të lehtësuar qarkullimin, por lëvizja e mjetit me shpejtësi në një rrugë të panjohur ka bërë që drejtuesi i saj të humbasë kontrollin. Për pasojë mjeti ka dalë nga rruga, duke përfunduar tragjikisht në humnerë. Mësohet se të plagosurit i është dhënë ndihma në repartin e reanimacionit në spitalin e Shkodrës, por mjekët bënë të ditur se gjendja e tij është në rrezik për jetën për shkak të plagëve dhe frakturave të marra. Ndërsa trupi i viktimës u dërgua po dje në morgun e qytetit, nga ku më pas të afërmit e tij mbërritën për ta marrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›