E Diel, 1 Nëntor 2026

"Djali i gjakut", një film kundër gjakmarrjes

 

Pas 20 vjetësh, më në fund do të kemi në film për fëmijë. Pak ditë më parë, në mbledhjen e saj të radhës, Qendra Kombëtare Kinematografike, mes shumë prurjeve miratoi projektet e radhës, që ajo financon. Ndër ta është edhe filmi "Djali i gjakut", me skenar të Ruzhdi Pulahës e regji të Namik Ajazit. Një produksion shqiptaro-italian, që e ka fillesën qysh dy vjet më parë, në një marrëveshje të firmosur nga drejtori i festivalit të Filmit për fëmijë "Giffoni", Carlo Gubitosi dhe kryetarit të QKK-së, Xhevdet Ferri. "Është një film sensibilizues, i cili merr shkas nga tema e gjakmarrjes", - thotë regjisori Ajazi. Filmi ka në qendër dy të rinj, dy nxënës të shkollës së mesme, familjet e të cilëve hyjnë në hasmëri me njëra-tjetrën. Për t'i shpëtuar këtij zinxhiri vrasjesh, njëri prej tyre arratiset drejt Italisë. Sipas Ajazit, filmi ndërtohet në retrospektivë. I kapur nga forcat italiane, djali fillon të rrëfejë historinë e tij të dhimbshme dhe arsyen e largimit. Filmi do të mbyllet me një akt faljeje dhe një skenë masive, ku janë pikërisht fëmijët që kërkojnë t'i jepet fund gjakmarrjes. Filmi mendohet të zbres në sheshxhirim në vjeshtë. Do të xhirohet në rrethinat e Shkodrës, por edhe në Bari, në Otranto. Ashtu si stafi realizues, i cili do të jetë shqiptar-italian, po kështu edhe kasti i aktorëve. Filmi i cili ka mbështetjen e "Giffoni"-t dhe mbështetjen financiare prej 23, 3 milionë lekësh nga QKK, mendohet që të jetë pjesë e konkurrimit të këtij festivali, në edicionin e 40-të të tij, duke përfaqësuar filmin shqiptar, me një temë të fortë, ashtu si në vitet '84-'88, ku prodhimet shqiptare kanë fituar edhe trofe. Ajazi thotë se filmi i kushtohet regjisores Xhanfize Keko, e cila gjithë karrierën e saj ia kushtoi kinemasë për fëmijë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›