E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, çështja “Bollano”, pretenca kërkon kohë

 

VLORE - Procesit gjyqësor në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano po i vjen fundi. Në seancën e radhës ditën e djeshme përfunduan procedurat përkatëse dhe tashmë i mbetet pretencës të argumentojë fajësinë e kreut të bashkisë. Ashtu sikurse edhe në seancat e mëparshme gjyqësore, Bollano as dje nuk ishte i pranishëm në gjykatë. Ai është përfaqësuar me një prokurorë të posaçme nga avokati i tij, Petraq Curi. Ky i fundit në seancat paraardhëse kërkoi përjashtimin e trupit gjykues nga gjykimi i kësaj çështje, për shkak sipas tij, të njëanshmërisë që ka mbajtur gjatë zhvillimit të gjyqit në dëm të procesit dhe të akuzuarit. Por mbas shqyrtimin të kërkesës së mbrojtjes, nuk u pranua zëvendësimi i trupit gjykues, i cili ishte përzgjedhur me short. Dje, përfaqësuesi i akuzës, Sokol Malaj i kërkoi gjykatës 15 ditë kohë për t’u njohur me dosjen dhe më pas për të dhënë pretencën ndaj Vasil Bollanos. Ai akuzohet për shpërdorim të detyrës, duke shkatërruar tabelat treguese në aksin rrugor nga zona e Llogarasë deri në Qeparo. Dëmi që i është shkaktuar shtetit llogaritet në miliona lekë. Kryebashkiaku i hoqi tabelat pasi ato nuk ishin shkruar në gjuhën greke, ndërsa argumentoi se ato ishin vënë edhe pa dijeninë e bashkisë.                                           q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›