E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sopranoja Teuta Koço: Në skenë do të jemi tre

 

Alma Mile

Tre breza do të ngjiten sot në skenë. Babai, bija, mbesa. Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, e shoqëruar nga orkestra e RTSH-së, nën drejtimin e Eno Koços, Teuta Koço (e bija) do të japë një koncert. Do të interpretojë pjesë nga krijimtaria botërore, por edhe këngë qytetare shqiptare. Ky është një koncert i veçantë për sopranon, e cila së shpejti do të bëhet nënë. Teuta Koço tregon për koncertin, angazhimet në skenat e huaja dhe mëmësinë.
Ktheheni sërish në skenën shqiptare, me një tjetër koncert, ç'do të na ofroni kësaj here?
Është pjesë e stinës koncertore 2008-2009 të Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar. Është një ftesë që e pritëm me shumë kënaqësi dhe programi është zgjedhur me shumë kujdes. Janë pjesë nga repertori operistik botëror, por edhe këngë qytetare lirike shqiptare. Është një koncert i shkurtër, pa pauza në mes, i cili mendoj do të pritet mirë, sepse do të përfshijë muzikë serioze, por edhe më pak impenjative.
Fakti që keni zgjedhur edhe këngë qytetare shqiptare, mos ndoshta lidhet edhe me gjyshen tuaj, Tefta Tashkon?
Një pjesë janë kënduar nga gjyshja ime, ndoshta edhe të tjerat, por nuk na kanë ardhur deri më sot të regjistruara. Disa prej tyre janë "Dola në penxhere", "Asaman o trëndafili çelës", "Bylbyl i shkreti Bylbyl", etj. Gjithsesi, kësaj here do t'i këndoj unë. Janë orkestrime të Enos, të cilat janë pëlqyer shumë.
Gjatë vitit që shkoi, por edhe në vijim, jeni angazhuar në shumë vepra, në skena të ndryshme të Anglisë e gjetkë..
Është e vërtetë. Ka qenë një periudhë shumë e ngjeshur. Nga njëra kontratë në tjetrën. Kam qenë e pranishme në disa skena angleze e skoceze, si Barbican Holl me një produksion të "Garsington opera", apo Cangliton, etj, me vepra si "Cosi fan tutte", "Elisir d'amore", etj.
Vazhdon babai të jetë kritiku juaj më i ashpër?
Tashmë nuk "guxon" të jetë aq kritik si dikur. Jetojmë në vende të ndryshme dhe e ka të pamundur të ndjekë të gjitha shfaqjet e mia. Por sigurisht që vazhdon të jetë mësuesi im, jo vetëm në muzikë, por edhe në jetë.
Së shpejti do të bëheni nënë dhe në skenë nuk do të jeni vetëm, ç'do të thotë kjo për ju?
Është bukur. Njëra do të këndojë e tjetra do të dëgjojë e do të nisë të mësohet me muzikën shqiptare. Tashmë po krijohet gjenerata e katërt. Ndoshta edhe ajo po e nis rrugën që tani.
Jeni në kulmin e karrierës, si e pritët?
Në fillim nuk arrija ta pranoja aq lehtë këtë fakt, por tani kam filluar të mësohem. Kam qenë vazhdimisht në lëvizje dhe nuk kam pasur shumë kohë për ta shijuar këtë moment. Kur kam 2-3 ditë pushim, kam mundësi të qetësohem edhe ndjej se ka filluar të më ngrohë kjo ide. Ndihem pak si e hutuar, ndoshta pak e lodhur. E shoh që një pjesë e energjisë sime po i shkon asaj. Tashmë kanë mbetur edhe pak muaj. Në muajin maj ajo do të vijë në jetë dhe dalëngadalë qysh këtë muaj do të filloj të lehtësohem nga angazhimet e shumta. Do të mbaj vetëm disa koncerte në Londër dhe dy muajt e fundit do t'i kushtohem e gjitha asaj. Megjithatë nuk më ka penguar që të kem një jetë profesionale dhe sociale.
Mendoni se do të jetë ndryshe, kur të vijë në jetë?
Është tepër egoiste që të thuash që do të bëj vetëm karrierë, apo do të merrem vetëm me rritjen e fëmijës. Në këtë shekull gratë mund t'i bëjnë të gjitha, edhe karrierën, edhe bashkëshorten, edhe nënën. Në një farë mënyre jemi "viktimat" e kohës sonë. Nuk mundet që ta lë profesionin, pasi e di që nuk mundem. Por tashmë unë jam e martuar dhe bashkë me tim shoq, po e presim me shumë kënaqësi këtë fëmijë, që do të na plotësojë më tepër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›