"Fillimet" poetike të Meri Dishnicës
Është i pari. Shpreson të ketë edhe të tjerë më pas. Fjalët i rrjedhin vetiu, qyshkur ish ende fëmijë e tani është bërë grua, nënë. Mbrëmjen e së mërkurës, mes miqsh, Meri Dishnica prezantoi librin e saj të parë me poezi. Titullohet "Fillimet", ashtu si fillimi i rrugës së saj në lëmin e letrave. I botuar nga shtëpia botuese "Dudaj", vëllimi përmban rreth 100 poezi dhe i kushtohet vajzës së saj, Fionës, e cila e ndrojtur, përshëndet të ftuarit në mbrëmjen e së ëmës. "Kam zgjedhur poezinë, sepse është tepër e ndjeshme dhe e prekshme nga të gjithë. Çdokush mund të gjejë veten në një varg, apo në një tjetër", - thotë Meri, e cila bashkë me librin e parë, nisi të japë edhe intervistat e para për mediat, të cilat nuk nguruan të përkrahin përpjekjen e një poeteje të re. "Botimi i librit ishte një kënaqësi personale. Janë poezi të mbledhura, qysh në kohët e adoleshencës e më vonë", - thotë ajo. E ndërsa boja ende nuk është tharë mbi faqet e "Fillimeve", po shkruan të dytin. Duket se ky reaksion zinxhir nuk do të përfundojë kurrë. "Tjetrin, ndoshta do ta quaj "Procesi"", - thotë ajo duke qeshur. "Monologu i natës", "Jo më", "Rutinë", "Fund", "E verbër", "Fal", "Të doja", "Arsyeja ime", "Fiona", "Delir", "Urrej", "Agoni", "Vetmi"... janë disa nga titujt e poezive të vëllimit. "Tematikat janë të ndryshme, si vetë ndjesitë që perceptojnë njerëzit në momente të ndryshme të jetës. Që nga një trishtim i çastit, një mërzi, tek dashuritë, flirtet, ndodhitë e një dite...", - shpjegon Meri, ndërsa shton se poezia është një ndjesi shumë e brendshme, e cila perceptohet si e tillë edhe nga lexuesi. Me profesion psikologe, ajo thotë se puna e saj nuk ka shumë lidhje me poezinë, por të shkruarit është një pasion i hershëm, të cilin ajo ka vendosur ta ndajë me të tjerët. "Ky është libri im i parë. Kjo justifikon edhe titullin, "Fillimet". Shpresoj të jenë fillime të mbara", - thotë ajo, ndërsa nis të hedh autografet e saj të parë.
Fionës
Ti je si një mendim i fshehur,
Që lulëzon ku të mundesh.
A mundesh ti, të lulëzosh mbi mua?
Më fal një kënaqësi të ëmbël, si ekzistenca...
Më jep një përthyerje të brishtë,
Jepma, të lutem, tjetërsimin,
Më bëj si ajrin, ideale
Më jep një mbështjellje të ngrohtë, një përqafim,
Ti, mishërimi im me ngjyra, ti je ideja ime e përjetësisë.
Eja buzëqesh,
Më sulmo dhe më kap. Të bindem,
Dua të qesh me ty.