E Diel, 1 Nëntor 2026

Frenk Riberi: Kaluam çdo parashikim!

 

Frenk Riberi ka pranuar se Bajerni i Mynihut ka kapërcyer çdo kufi, kur vendosi me "shpatulla pas murit" Sportingun brenda në Lisbonë. Aq sa tashmë është e vetmja skuadër që ka hedhur praktikisht hapin e madh drejt çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve. Bavarezët hynë në histori edhe për fiksimin e triumfit më të thellë gjatë fazës së parë të ndeshjeve me eliminim direkt të kompeticionit më prestigjioz evropian.
Pikërisht, francezi shtatshkurtër dhuroi paraqitjen më të mirë të periudhës së fundit, duke shënuar golin që hapi serinë e realizimeve, përpara fundit të pjesës së parë. Miroslav Klose realizoi dyfishimin e rezultatit, ndërsa më pas sërish Riberi shoi përfundimisht shpresat e Sportingut. Kurse dy golat e Tonit, nën frymëzimin e mesfushorit francez, shërbyen sa për rrumbullakosjen e rezultatit. "S'e kisha imagjinuar kurrë se mund të fitonim 5-0 - ka treguar Riberi -. Megjithatë, të gjithë synonim të bënim një paraqitje sa më të mirë. Jemi të kënaqur që ia dolëm mbanë, për më tepër sepse vinim pas dy humbjeve radhazi në kampionat. S'mund të mohohet se tani, pas këtyre 90 minutave të para, jemi në një pozicion shumë të favorshëm për t'u kualifikuar në çerekfinale".
Bajerni e kishte nisur jo mirë 2009-ën, duke humbur tri nga katër ndeshjet e Bundesligës, aq sa e ka bërë tepër të vështirë mbrojtjen e titullit kampion. Krejt ndryshe u shfaqën bavarezët të mërkurën në Ligën e Kampionëve, megjithëse Riberi beson se presioni i fazës me eliminim direkt i ka ndihmuar shumë për t'i nxitur që të japin më të mirën. "Dy kompeticionet janë tepër të ndryshëm - ka shpjeguar 25-vjeçari -. Në krahasim nga ajo që ndodh në kampionat, ku përballesh me një seri ndeshjesh, në Ligën e Kampionëve ke vetëm dy sfida, prandaj duhet të marrësh menjëherë kontrollin e situatës. Ne vazhdojmë ende të synojmë për të shkuar sa më larg të jetë e mundur, si në Bundesligë, Kupën e Gjermanisë, apo në Ligën e Kampionëve". "Ishte me të vërtetë një ndeshje perfekte për ne". Tepër i kënaqur shprehet presidenti i Bajernit, Karl Hainc Rumenige: "E në fund të fundit, askush s'mund ta parashikonte një rezultat kaq të thellë. Jemi me të vërtetë të kënaqur. Pa dashur të tregohem arrogant, besoj se mund të shohim përpara drejt çerekfinaleve. Kemi ambicie të mëdha në Ligën e Kampionëve, megjithëse e dimë se nuk konsiderohemi favoritë të këtij kompeticioni", ka thënë ai.

Ranieri, moral skuadrës në tunel
Trajneri i Juventusit, Klaudio Ranieri është optimist për kualifikimin e Juventusit në turin tjetër të Ligës së Kampioneve. Megjithatë, ai ka pohuar se gjatë pjesës së parë skuadra e tij nuk ka qenë shumë e përqendruar në fushë. Sipas medias italiane, tekniku ka "shkundur" bardhezinjtë në dhomat e zhveshjes, duke iu thënë: "Ua kisha thënë që këtu është e vështirë të marrësh atë që do. Ju e dinit që në këtë stadium dhe ndaj një skuadre të tillë duhet të japësh maksimumin, ndaj në pjesën e dytë dua t'ju shoh juve të dominoni lojën". Deklarata e teknikut bardhezi ka dhënë efektet e saj, pasi lojtarët e Juventusit kanë hyrë më të motivuar në pjesën e dytë, madje në disa raste kanë qenë fare pranë golit. "Një gol do të na kishte bërë shumë punë, megjithatë, kemi akoma shumë mundësi për t'ia dalë mbanë", ka thënë Ranieri.

Kambiaso: Mesi më i mirë se Ronaldo
Mesfushori argjentinas i Interit, Esteban Kambiaso, një ndër më të mirët kundër Mançester Junaitid, është i bindur se zikaltërit do të kualifikohen dhe do të nxjerrin jashtë loje "djajtë" e Fergusonit. "Në përgjithësi skuadrat angleze janë më të forta dhe këtë e tregojnë rezultatet - ka thënë mesfushori - Megjithatë, duhen pritur edhe 15 ditë për të marrë vesh se kush është më e fortë, Interi apo Mançesteri. Ne jemi shumë të motivuar dhe do t'ia dalim". Kambiaso i ka thurur elozhe Kristiano Ronaldos, duke e cilësuar atë si rrezikun numër 1 të portës zikaltër. "Është shumë i shpejtë dhe shumë teknik. Është vërtetë shumë i talentuar. Megjithatë, unë mendoj se Mesi është paksa më i mirë se ai", ka thënë argjentinasi.

Benajun: Misioni ynë vazhdon
Izraeliti Josi Benajun, autori i golit të fitores në Spanjë shprehet se mbrëmja e së mërkurës ishte një ditë historike për Liverpulin. Ndër të tjera, ai mendon se ndeshjen e kthimit anglezët do të luajnë me kokën lart përballë një skuadre të frikshme përsa i përket emrit. "Sigurisht jam shumë i gëzuar që shënova në "Bernabeu", por më e rëndësishmja është se fituam," shpjegoi për faqen zyrtare të klubit mesfushori. "Jemi të gjithë të lumtur, pasi ishte rezultat fantastik për ne. Është ndjenjë e mrekullueshme, por duhet të mendojmë se kemi edhe një ndeshje tjetër për të luajtur në "Anfilld". Aty përfundon misioni ynë. Mbas dy javësh do të futemi në fushën e lojës si favoritë për kualifikim dhe e vetmja gjë që duhet të bëjmë është të mbrohemi mirë. Pas këtij rezultati kemi besim te vetvetja".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›