Babai rrëfen në gjyq "trafikimin" e vajzës
TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda u njoh dje me historinë e trafikimit të një vajze 26-vjeçare nga Dibra në vitin 2002, e treguar nga babai i saj. Në seancën e djeshme në ngarkim të Agim Hoxhës, Alket Rushitit, Ervin Prençit dhe Gjergji Xherakut ka dëshmuar Hekuran M., babai i vajzës, për të cilën katër të pandehurit akuzohen se e kanë trafikuar. Në dëshminë e tij, i moshuari rrëfeu përpara gjykatës momentet e largimit të vajzës nga shtëpia, si edhe ato çfarë ajo vetë i kishte treguar pas kthimit në shtëpi. Sipas dëshmitarit, denoncimi në polici ishte bërë nga bashkëshortja e tij, një ditë pas largimit të vajzës. Ndërsa ai nuk ishte në gjendje të sqaronte nëse aborti që vajza kishte bërë pak muaj më pas ishte bërë me dëshirën e saj, apo e detyruar nga njëri prej të pandehurve. Hekuran M. përmendi dje emrat e të gjithë personave me të cilët kishte pasur kontakte vajza e tij gjatë kalimit të saj nga Dibra në Durrës, në Fier e më pas në Kosovë. Sipas tij, vetëm gjatë qëndrimit në Durrës vajza i kishte thënë se, "Altin H. e kishte kërcënuar me një thikë dhe i thoshte se do ta hidhte në një pus përpara shtëpisë". "Dy muaj pas largimit të vajzës shkrova 4 letra, Presidentit të Republikës, Kryeministrit, ministrit të Rendit dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Nga këto letra pas 5 ditësh më erdhën 2 përgjigje. Ajo e Presidentit thoshte që problemi i ishte bërë i ditur Kryeministrisë. Ndërsa letra e ardhur nga Kryeministria thoshte që janë urdhëruar organet kompetente që të punojnë për zbardhjen e ngjarjes dhe që kjo ngjarje të shihet me përparësi prej tyre", tha ai në dëshminë e tij. Sipas Prokurorisë, katër të pandehurit e kanë trafikuar për arsye prostitucioni vajzën nga Dibra. Sipas kërkesës për gjykim, vajza është marrë nga vendlindja e saj dhe është mbajtur në Durrës, ku të akuzuarit kanë dashur ta shesin te njëri-tjetri, duke e këmbyer me një makinë "Mercedes Benz". "Pasi kjo ofertë nuk është pranuar, në ditët në vijim Ervini ka shkuar përsëri në shtëpinë e Agimit dhe ka marrë A.M. (të lënduarën) pasi ka dorëzuar shumën 15.000 lekë", thuhet në kërkesën për gjykim. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, më pas vajza është shfrytëzuar për disa muaj në Durrës dhe rrethinat e tij. Gjatë kësaj kohe ajo ka mbetur shtatzënë dhe është detyruar të abortonte fëmijën. Kjo dosje është gjykuar edhe më parë, ndërsa është kthyer për rishqyrtim nga e para mbi bazën e shkeljeve të rënda procedurale të gjetura në praktikën e parë të trajtimit të saj nga organet e drejtësisë. ar.ba