E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akulli në kalldrëme, njerëzit “viktima” të rrëshqitjeve

Temperaturat e ulëta të ditëve të fundit dhe depozitimi i akullit dhe ngricës përgjatë segmenteve rrugorë ka krijuar vështirësi për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve në rrugët e brendshme të qytetit të Gjirokastrës. Aktualisht pjesa më e madhe e rrugëve të kalldrëmta, kryesisht në pjesën e sipërme të qytetit, janë të pakalueshme si shkak i shtresës së ngricës dhe akullit të krijuar përgjatë tyre. “Mbahemi me duar nga muret kur kalojmë në rrugë, pasi mund të rrëshqasim mbi akull”, thotë Hysen Lame, një i moshuar, ndërsa ecën me shumë kujdes mbi kalldrëmin e ngrirë në lagjen Varosh. Ndërkohë si shkak i rrëshqitjes mbi akull në spitalin e Gjirokastrës kanë filluar të paraqiten pacientët e parë, të cilët kanë probleme me dëmtimin dhe thyerjen e gjymtyrëve. “Pjesa më e madhe e tyre janë lënduar, pasi kanë rrëshqitur mbi akull ndërsa ecnin në rrugë”, thonë bluzat e bardha të spitalit të Gjirokastrës. Specialistët e Ndërmarrjes së Ujësjellësit, për praninë e madhe të ujërave që rrjedhin përgjatë rrugëve në këtë mot të ftohtë, bëjnë fajtor tubacionet e amortizuara dhe keqpërdorimin e ujit nga banorët. “Aktualisht ujësjellësi ka ngritur grupe pune për të ndërhyrë në rastet kur defektet në rrjetin e shpërndarjes së ujit të pijshëm shkaktojnë edhe krijimin e akullit mbi rrugë”, thonë specialistët e Ujësjellësit. Sipas tyre, stafi i ujësjellësit ka ndërhyrë për të riparuar defektet në linjat që shtrihen përgjatë rrugëve të kalldrëmta si në lagjen Varosh, Hazmurat, 11 Janari etj. Por sipas specialistëve të ujësjellësit aktualisht pjesa më e madhe e tubacioneve të rrjetit të ujit të pijshëm kryesisht në lagjet e sipërme të Gjirokastrës janë me lëndë plastike. “Tubacionet e reja janë të gjitha të shtruara me tuba plastikë, ndërkohë që nuk respektohen kriteret e tyre për shtrimin në kanalizime sipas standardeve teknike”, thonë specialistët e ujësjellësit. Ditën e djeshme termometri regjistron minus 9 gradë celsius. Temperaturat në rajonin juglindor të vendit vijnë duke u bërë dhe më të frikshme. Akulli ka mbuluar disa rrugë në qarkun e Korçës, teksa akset nacionale që një ditë më parë kanë patur probleme, i kanë vazhduar ato të pandryshuara vetëm për disa orë në mëngjes, por dhe gjatë mbrëmjes. Pas ngritjes së temperaturave disa gradë në mesditë dhe ndërhyrjeve me kripë dhe skorje, akset nacionale gjatë të mërkurës kanë qenë të kalueshme pa qenë e nevojshme vendosja e zinxhirëve në mjete. Duke iu referuar të dhënave zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve Nacionale në Korçë, mësohet se vështirësitë në lëvizje janë më të pakta se një ditë më parë. Kështu, e kalueshme me zinxhirë është lëvizja e automjeteve në segmentin Korçë-Kolonjë dhe konkretisht në Qafën e Qarrit, ku trashësia e dëborës vazhdon të jetë mbi 30 centimetra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›