E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të dërguarit e Ambasadës së SHBA në Prokurori

Pas përkrahjes së ambasadorit Arvizu, bashkëpunimi për hetimin e 21 janarit zbret në nivel teknik. Prokuroria bën gati kërkesat për ekspertët amerikanë

Tiranë Kërkesa për ndihmë me ekspertë nga SHBA për hetimin e ngjarjesve së 21 janarit, ku mbetën të vrarë 3 demostrues dhe u plagosën me dhjetra të tjerë kanë çuar dje në Prokurorinë e Tiranës dy përfaqësues të Ambasadës Amerikane. Për disa orë, të dërguarit e ambasadës morën kontakt me drejtuesit e prokurorisë dhe u njohën me rezultatet e deritanishme të hetimit. Burimet thanë se takimi ka qenë në nivel teknik, ku janë diskutuar hapat e deritanishëm të hetimit të prokurorisë dhe kërkesat e organit të akuzës për ekspertizë. Përfaqësuesit e ambasadës, pas deklaratës së ambasadorit Arvizu kërkuan nga prokurorët shqiptarë specifikën e kërkesës për ndihmë që zyrtarizoi dy ditë më parë kryeprokurorja Ina Rama. Gjatë takimit mësohet se janë diskutuar edhe hapat e mëtejshëm të hetimit, si dhe momentet ku do të përfshihen ekspertët amerikanë, të cilët pritet të kenë një rol të rëndësishëm në zbardhjen e asaj që ndodhi më 21 janar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Të dhënat e marra nga takimi i djeshëm mësohet se do t’i përcillen zyrtarisht autoriteteve respektive, së bashku me kërkesën e Prokurorisë, dhe mbi këto baza do të vendoset për numrin dhe fushën e specializimit të ekspertëve që do t’i vijnë në ndihmë Prokurorisë Shqiptare. Sipas të dhënave të deritanishme mësohet se ekspertët që do të ndihmojnë prokurorinë në hetimin dhe zbardhjen e asaj që ndodhi më 21 janar, mund të jenë të Byrosë Federale të Hetimit (FBI), por nuk përjashtohen as specialistë të strukturave të tjera të hetimit. Sipas kryeprokurores, prania e ekspertëve amerikanë në hetimin e kësaj çështje është mjaft e rëndësishme ne planin teknik, pasi niveli dhe standardi i tyre është më i lartë se ai që mund të ofrohet nga ekspertët vendas. Kryeprokurorja, e cila bëri publike kërkesën për ndihmë, tha dy ditë më parë se e çmon tepër të rendësishëm hetimin objektiv, të gjithanshëm dhe profesional të kesaj çështje dhe për këtë arsye kërkon bashkëpunimin e eskpertëve amerikanë në këtë çështje. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›