Maskat grabisin bankën, marrin 200 mijë lekë
Policia sekuestroi kasetat filmike brenda dhe jashtë ambienteve të bankës dhe pritet që prej tyre të gjenden prova për të identifikuar autorët e kësaj grabitje
Tiranë Dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë grabitur paraditen e djeshme filialin e një banke në kryeqytet, duke marrë prej andej rreth 200 mijë lekë të reja. Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 09:30 të ditës së djeshme në afërsi të shkollës “Vasil Shanto”, ku dy personat e armatosur hynë në ambientet e bankës dhe nën kërcënimin e armëve arritën të merrnin prej andej një sasi parash dhe më pas u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Fatmirësisht nuk raportohet asnjë i lënduar nga kjo ngjarje.
Nga ana e saj Policia e Tiranës bën të ditur me anë të një njoftimi për shtyp, se menjëherë pas marrjes së njoftimit në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, të cilat nisën menjëherë punën për zbardhjen e autorëve të kësaj ngjarjeje. “Rreth orës 09:30 në rrugën “Irfan Tomini”, pranë zonës “Vasil Shanto”, është vjedhur me dhunë një nga filialet e “Tirana Bank”. Menjëherë në vendin e ngjarjes, shkuan shërbimet e policisë dhe specialistë të Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe me Armë, të cilët aktualisht janë duke kryer veprimet hetimore në vendngjarje. Paraprakisht dyshohet se autorët kanë mundur të hyjnë në ambientet e kësaj banke dhe kanë mundur t’i marrin punonjëses së bankës sasinë e parave prej rreth 200 mijë lekësh të rinj. Nuk ka të lënduar nga punonjësit e bankës apo persona të tjerë.” - bën të ditur Policia e Tiranës.
Ndërkohë, forcat e policisë sekuestruan kasetat filmike brenda dhe jashtë ambienteve të bankës dhe pritet që prej tyre të gjenden prova për të identifikuar autorët e kësaj grabitjeje. Gjithashtu janë marrë në pyetje dhe punonjësit e bankës, të cilët kanë deklaruar se në momentin e grabitjes nuk ka pasur shumë klientë në bankë, pasi ishte ende herët. Sipas tyre, dy personat e armatosur dhe të maskuar kanë hyrë me shpejtësi në ambientet e brendshme të bankës dhe nën kërcënimin e armëve i kanë kërkuar arkëtares t’i jepte paratë që ndodheshin në arkë. Referuar dëshmisë së tyre, grabitja ka zgjatur vetëm disa sekonda dhe më pas dy grabitësit janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke humbur gjurmët. Efektivët e policisë kanë marrë në pyetje për disa orë dhe rojen e sigurisë së bankës, për të sqaruar skemën e grabitjes dhe veprimet e tij gjatë kohës kur dy grabitësit kanë hyrë në ambientet e brendshme të bankës. Por burime nga policia shprehen të rezervuar në lidhje me dëshminë e tij. Ndërkohë, disa dëshmitarë kanë treguar për MAPO-n se janë njoftuar për grabitjen vetëm kur kanë parë forca të shumta policie.
“Unë kam dyqanin vetëm pak metra më larg dhe nuk kam parë asgjë dhe as kam dëgjuar gjë. Vetëm kur pamë shumë makina policie që u mblodhën këtu, mësuam se ishte vjedhur banka. Pastaj dolëm për të parë dhe na thanë që kishin qenë dy persona të armatosur që kishin vjedhur disa lekë.” - shprehet njëri prej pronarëve të një dyqani vetëm pak metra larg bankës. Ndërkohë Policia e Tiranës bën të ditur se në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës po vazhdojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa materialet proceduriale do t`i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë”.