E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akupunktura për fëmijët



Çdo vit, mbi 3 milionë amerikanë të rritur shkojnë tek specialisti për akupunkturë, trajtim i lashtë kinez për probleme të ndryshme shëndetësore. Por a është e dobishme akupunktura për fëmijët e vegjël? Ashley, 14-muajshe, duket e shëndetshme, e qeshur dhe plot gjallësi, si çdo moshatare e saj. Por deri para pak kohësh ajo ndeshej me infeksione të shpeshta në vesh, grykë, sy apo prekej nga astma e alergji të ndryshme. Nëna e saj thotë se që kur ishte dyjavëshe, Ashley ka marrë ilaçe nga më të ndryshmet. Kjo është arsyeja që për Ashley-n, e ëma e saj filloi të kërkonte mënyra të tjera alternative për trajtim mjekësor. Një ditë ajo e solli vajzën e saj në klinikën e akupunkturës në Stoughton të shtetit Massachusets, ku tani Ashley trajtohet rregullisht me akupunkturë. Ndryshimet që vihen re pas fillimit të trajtimit me këtë metodë të lashtë tek Ashley janë se ajo tani fle e qetë, ndryshe nga më parë kur zgjohej ne mes të natës duke qarë.

Akupunktura është më shumë një art mjekësor sesa shkencë. Ajo bazohet në idenë se energjia është si rrymë që qarkullon në mbarë trupin, duke kaluar nëpër disa pika ose kryqëzime. Kur këto kryqëzime bllokohen, vendi shpohet me gjilpërë për të hapur “trafikun” e energjisë. Mjekët në spitalin e përgjithshëm në Boston kohët e fundit përdorën një teknikë të re me imazhe elektro-magnetike për të parë e studiuar se si reagon truri gjatë akupunkturës. Gjatë aplikimit të kësaj teknike mjekët vunë re se truri vepron si një çelës qarku që hapet e mbyllet kur një pjesë e trupit ndien dhimbje. Megjithatë, mjekët ende ngurrojnë të shprehen se kanë prova të mjaftueshme shkencore për të thënë se akupunktura është e suksesshme. Ata mendojnë se në këtë fushë duhen kryer shumë studime të mëtejshme.

Në spitalin e përgjithshëm në Mineapolis ndodhet qendra më e hershme e akupunkturës për fëmijët e vegjël. Në këtë klinikë pediatrike trajtohen fëmijë me simptoma nga më të ndryshmet, përfshi migrenën, ankthin dhe depresionin. Por akupunktura, ashtu si ilaçet, nuk ka të njëjtin efekt tek çdo person. Për shembull, një 15-vjeçar vuante nga mania e vetëvrasjes dhe prindërit, pasi e kishin çuar tek shumë mjekë e psikologë, më në fund e sollën në këtë klinikë. Që në trajtimet e para me akupunkturë, gjendja e tij u përmirësua dukshëm.

Ndërkohë që akupunktura mund të mos jetë e efektshme për çdo fëmijë, për shumë prindër kjo mjekësi e lashtë kineze është bërë shpresa e fundit për shërimin e fëmijëve të tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›