Refuzoi të ndalonte pas thirrjes së policisë italiane
Tentoi të shtypë karabinierët, qëllohet për vdekje i riu shqiptar
Olsi Ferracaku, 22 vjeç, jo vetëm që nuk i është përgjigjur thirrjes për të ndaluar, por tentoi shtypjen e karabinierëve, duke i dhënë më tepër gaz makinës. I riu godet një pjesë të postbllokut, qëllohet për vdekje. Nisin hetimet për zbardhjen e ngjarjes
Një emigrant shqiptar humbi jetën, pasi u qëllua me armë nga policia italiane, sepse nuk iu bind urdhrit të tyre për të ndaluar. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, afër Ascoli-t. Viktima është 22-vjeçari Olsi Ferracaku. Ai ishte duke udhëtuar së bashku me tre persona të tjerë me një makinë. Sipas policisë italiane, ata kishin qëlluar, pasi makina nuk i ishte bindur urdhrit, madje kishte tentuar t’i përplaste. Megjithatë, do të jetë përfundimi i hetimeve që do të zbardhë të vërtetën e kësaj ngjarjeje. Edhe pse i riu u dërgua në spital për të marrë ndihmën e parë, ai nuk ka arritur që t’i mbijetojë plagëve të marra. Rreth orës 04:00, agjentët e policisë italiane ishin në një postbllok në vendin e quajtur Sant'Angelo di Castignano. Ata ishin njoftuar për një vjedhje të ndodhur në zonë në një vilë. Kohët e fundit ka pasur shqetësim në zonë për një bandë që vepronte përreth dhe që merrej me grabitjen e banesave. Drejt tyre është afruar një makinë “Wolswagen Bora”. Dy karabinierët kanë parë brenda saj 4 persona. Ndërsa makina po afrohej, ata i kanë dalë përpara dhe i kanë bërë shenjë që të ndalojë. Por ndërsa, makina është afruar drejt tyre, drejtuesi i ka dhënë gaz, duke lëvizur me shpejtësi dhe duke goditur një pjesë të postbllokut. Menjëherë punonjësit e policisë kanë nxjerrë armët dhe kanë qëlluar në drejtim të tyre. Ata kanë qëlluar pesë herë në drejtim të makinës, ku një plumb ka kapur 22-vjeçarin Olsi Ferracaku, duke e plagosur atë rëndë. Ndërkaq, automjeti, pasi ka përshkuar disa metra, ka ndaluar në mes të rrugës. Dyert janë hapur dhe nga aty kanë dalë me shpejtësi tre personat e tjerë, të cilët kanë nisur të vrapojnë për t’iu shmangur arrestimit. Ndërkohë që brenda në makinë, 22-vjeçari nuk lëvizte. Karabinierët janë afruar dhe kanë parë të riun e plagosur rëndë të mbuluar nga gjaku. Ata e kanë transportuar atë menjëherë në spitalin e Askoli-t, por me gjithë ndërhyrjen e mjekëve, ai nuk ka arritur që të mbijetojë. Mjekët janë shprehur se ai është klinikisht i vdekur. Në lidhje me këtë ngjarje u ngrit një grup pune. Agjentët gjetën pesë gëzhoja në vendngjarje, ndërkohë që vetëm njëri prej tyre e kishte kapur të riun. Sipas dy policëve që hapën zjarr, ata kryen veprimin, pasi makina nuk iu bind urdhrit, ndërkohë që dyshonin se ata mund të ishin hajdutë të vilave të zonës. Megjithatë, po hetohet për të vërtetuar shkaqet e vërteta të ngjarjes. Ndërkohë që viktima ishte me precedentë penalë dhe ishte arrestuar një herë nga policia me akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në muajin prill. Ai ishte me leje qëndrimi të rregullt në vendin fqinj, ndërkohë që jetonte në një shtëpi me qira në Ascoli dhe punonte si murator. Ai humbi jetën nga të shtënat e armëve të dy policëve italianë rreth orës 04:00 të mëngjesit të ditës së djeshme, pasi sipas tyre, nuk iu bind urdhrit për të ndaluar.