Talasemi/Mungojnë analizat, çdo vit lindin 20 fëmijë me këtë sëmundje
Ministria e Shëndetësisë do të financojë organizatat jo fitimprurëse që merren me promovimin e gjakut, në mënyrë që gjaku për personat në nevojë, dhe veçanërisht talasemikët, të jetë i kontrolluar dhe i sigurt
Mungojnë laboratorët që do të kryenin ekzaminime për të bërë më pas të mundur identifikimin e atyre personave që vuajnë nga sëmundja e talasemisë. Ndërkohë që nga viti në vit numri i personave të prekur nga kjo sëmundje shtohet. Dje, më 8 maj, në Ditën Botërore të Talasemikëve, kryetari i Shoqatës së Talasemikëve në vendin tonë, Musa Zenelaj, përcolli problemet që vijnë në trajtimin e personave që vuajnë nga sëmundjet e gjakut.
Problemet
Të sëmurët me talasemi ende vazhdojnë të kenë probleme në trajtimin e personave që vuajnë nga sëmundjet e gjakut. Kryetari i Shoqatës së Talasemikëve në vendin tonë, Musa Zenelaj, tha se ende ka mungesë laboratorësh për identifikimin e pacientëve që vuajnë nga këto sëmundje, ndërkohë që rreth 80% e pacientëve që vuajnë nga talasemia janë nën moshën 20 vjeç. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, në këtë ditë ka premtuar se brenda javës së parë të qershorit do të ngrihet qendra e transfuzionit të gjakut në Vlorë, ndërkohë që brenda këtij viti në spitalin e ri të QSUT-së do të ketë një pavijon për trajtimin e pacientëve që vuajnë nga sëmundjet e gjakut. E pranishme në ceremoninë e organizuar me rastin e Ditës Botërore të Talasemisë ka qenë dhe zonja Liri Berisha, presidente e fondacionit “Fëmijët shqiptarë”.
Gjaku
Kreu i Shoqatës së Talasemikëve ka kërkuar forcimin e laboratorëve, nisjen e importit të gjakut për grupe të caktuara si dhe pajisjen e spitaleve me mjekë profesionistë. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka deklaruar se javën e parë të qershorit në Vlorë do të përurohet një qendër e re, ku fëmijët talasemikë mund të marrin gjithë mjekimin e kërkuar. “Brenda javës së parë të qershorit në Vlorë do të ketë një qendër e transfuzionit të gjakut, e cila do të rrisë standardet dhe do të jetë shumë moderne, për t’i ardhur në ndihmë kësaj shtrese”, - u shpreh Godo. Ky aktivitet është përshëndetur edhe nga zonja Liri Berisha, e cila përmes fondacionit të saj, ka ndihmuar shumë fëmijë. Kjo deklarohet nga Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, në Ditën Botërore të Talasemikëve. Kreu i Shoqatës së Talasemikëve, u shpreh se pavarësisht përmirësimit të trajtimit për këta persona, shqetësues mbetet fakti se çdo vit lindin 20 fëmijë me këtë problem, ndërkohë që në vendet evropiane ky numër është pothuajse 0. Në vend numërohen rreth 500 talasemikë, të cilët kanë nevojë për mbështetje sistematike. Fondacione private, me anë të një projekti, do të ndihmojë 100 familje me individë talasemikë. Në kuadër të parandalimit të ndërhyrjes së hershme, ata do t’u mundësojnë këtyre familjeve disa analiza me qëllim shmangien e lindjes së fëmijëve talasemikë në të ardhmen.