Akuza: 25 vjet anëtarit të “Altin Dardhës’
TIRANE – Prokuroria kërkoi dje dënim maksimal për Gëzim Kasemin, të akuzuar si bashkautor i Altin Dardhës në një prej “bëmave” të tij kriminale. Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare organi i akuzës i kërkoi dje gjykatës deklarimin fajtor të Kasemit dhe dënimin e tij me 25 vjet burg. Sipas pretencës së lexuar nga prokurori i çështjes, Klodjan Braho, Kasemi është një prej ekzekutorëve në ngjarjen e shkurtit të vitit 1998 në qytetin Beratit, ku mbetën të vrarë 4 vetë dhe u plagosën 2 të tjerë. Sipas prokurorisë Kasemi është bashkautor në vrasjen e Burhan Tomorrit, Abdyrrahim Tomorrit, Behar Eskiut dhe Kastriot Bejkos, ngjarje ku u plagosën edhe Ramadan Eskiu dhe Vlash Shkurti. Mbi Kasemin rëndon akuza e “vrasjes me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”. Gjatë seancës së djeshme u dëgjua edhe dëshmitari i fundit i kërkuar nga mbrojtja. Arben Qeraj, pohoi përpara gjykatës se kishte parë nga distanca Altin Dardhën të fuste në makinë nën kërcënimin e armës të pandehurin Gëzim Kasemi. Gjatë shqyrtimit gjyqësor Kasemi ka pretenduar se ditën e ngjarjes ai ka qenë marrë peng nga Altin Dardha dhe se ai nuk ka lidhje me ngjarjen kriminale. ar.ba