Kolegu, dëshmi në gjyq kundër ish-infermieres
TIRANE – Mjeku pediatër Durim Bebeçi ishte dëshmitari i radhës dje në seancën në ngarkim të infermieres Fabiola Agastra të akuzuar për “mjekim të pakujdesshëm”. Sipas mjekut Bebeçi gjithë stafi mjekësor ishte urdhëruar verbalisht të mos përdorin paracetamol të lëngshëm. “Kishim urdhëruar që paracetamoli i lëngshëm mos të përdorej, pasi kishte rezultuar se krijonte efekte anësore”, u shpreh Bebeçi. Në vijim të dëshmisë mjeku pediatër sqaroi se në rastet e temperaturës së lartë përdoren suposta, apo mjekime që merren me anë të aparatit tretës, por asesi injeksione. Ngjarja për të cilën akuzohet infermierja Agastra ka ndodhur mbrëmjen e 2 shtatorit 2006 në repartin e pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet. Sipas prokurorisë, infermierja i ka bërë një injeksion një vajze 7-vjeçare, e cila është paraqitur në spital me temperaturë të lartë trupore. Injeksioni i bërë, sipas prokurorisë në mënyrë të gabuar, ka çuar më pas në paralizimin e këmbëve të së miturës. Procesi gjyqësor ndaj infermieres filloi pas një kallëzimi të familjarëve të 7-vjeçares. ar.ba