E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani dhe Pajaziti: Lehtësi në kufi turistëve nga Kosova

 

TIRANE - Ministri i Brendshëm Bujar Nishani zhvilloi dje një takim me homologun e tij kosovar Zenun Pajaziti. Në qendër të bisedës mes dy ministrave ishte bashkëpunimi i policive në të dyja anët e kufirit, ndërsa Nishani e Pajaziti ndanë të njëjtin mendim për krijimin e lehtësirave kufitare për kosovarët, që do të zgjedhin të kalojnë pushimet në Shqipëri. Sipas burimeve zyrtare, Ministri Nishani nënvizoi në takimin me homologun Pajaziti, nevojën e shkëmbimit të përvojave nga të dy palët, duke përmendur në veçanti fushën e trajnimit policor për të cilën vlerësoi përvojën e Akademisë Policore të Kosovës. Ministri i Brendshëm Nishani garantoi Ministrin e Brendshëm të Kosovës, Pajaziti dhe drejtuesit e tjerë të lartë të delegacionit kosovar për një partneritet serioz e të besueshëm nga ana e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë. Ndërsa Ministri Pajaziti, theksoi nevojën për shkëmbimin e përvojave dhe shtimin e kontakteve dypalëshe në të gjithë sektorët që mbulojnë Ministritë e Brendshme të Shqipërisë dhe Kosovës. Kreu i Ministrisë së Brendshme të Kosovës paraqiti në takim edhe një draft marrëveshje për bashkëpunimin mes strukturave të emergjencave civile në të dy vendet. Gjatë këtij takimi u diskutua edhe krijimi i lehtësirave të nevojshme për lëvizjen e qytetarëve nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas gjatë sezonit turistik. Në këtë aspekt Ministri Nishani shprehu angazhimin që përvoja e krijuar me pikën e përbashkët të kalimit kufitar në Muriqan me Malin e Zi, të shërbejë si shembull për nisma të ngjashme edhe me Kosovën, pasi nisma të tilla mbështeten edhe nga Komuniteti Evropian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›