Gjykata burgos prostitutën e “agjencisë” së klientëve VIP
TIRANE – Gjykata e kryeqytetit la në burg deri në fund të hetimeve 24-vjeçaren e ndaluar pak ditë më parë për ushtrim prostitucioni, si edhe sekserin e saj 19-vjeçar. Ndërsa taksisti që dërgonte vajzën tek klientët “VIP” është lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Tre personat e arrestuar nga Zyra e Antitrafiqeve u paraqitën dje në Gjykatën e Tiranës për caktimin e masave të sigurimit personal. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, gjykata vendosi lënien në qeli të 24-vjeçares A.D. Sipas burimeve pranë gjykatës, vajza 24-vjeçare ka pranuar në sallën e gjyqit ushtrimin e prostitucionit. Burimet saktësuan se vajza kishte mohuar përfshirjen e drejtpërdrejtë të 19-vjeçarit Marjo Manopulli në shfrytëzimin e saj. Megjithatë, masa e sigurisë “arrest me burg” u vendos nga gjykata edhe për Manopullin, i cili dyshohet se ka qenë sekseri i vajzës në gjetjen e klientëve përmes takimeve dhe telefonit. I akuzuari 19-vjeçar ka lënë të shprehet përfaqësuesin e tij ligjor dhe nuk ka shfaqur vetë ndonjë pretendim. Ndërsa për taksistin Altin Dajçi, gjykata vendosi lënien e tij në “arrest shtëpie”. Sipas thënieve të 37-vjeçarit në gjykatë, ai kishte bërë vetëm punën e tij prej taksisti pa pasur dijeni për më tej. “Unë bëja punën time, i merrja këtu, i çoja atje”, mësohet të ketë thënë ai përpara gjykatë. Sipas burimeve, 24-vjeçarja u ofronte seks me pagesë personave “VIP” të biznesit, kryesisht shtetas të huaj që ishin vizitorë në Shqipëri. Klienti i saj i fundit para arrestimit ka qenë një biznesmen italian. Tre të akuzuarit u arrestuan tri ditë më parë në kryeqytet në kuadrin e një operacioni që goditi një rrjet të shfrytëzimit të prostitucionit në Tiranë. Sipas policisë, 24-vjeçarja me iniciale A.D., shfrytëzohej si prostitutë prej Manopullit dhe Dajçit. Manopulli bënte “sekserin” duke i siguruar 24-vjeçares klientët, që përgjithësisht ishin të huaj, biznesmenë dhe njerëz në pozita të larta shoqërore. Pasi “binte në ujdi” për pazarin dhe hotelin, Dajçi, me taksinë e tij mundësonte dërgimin e 24-vjeçares në “destinacion”. Pagesa që kërkonte vajza për një natë shkonte deri në 150 euro. ar.ba