Akuza: 40 vjet për grupin e trafikantëve
TIRANE – Prokuroria e Tiranës paraqiti dje kërkesën e saj për masat e dënimit ndaj të akuzuarve për trafik klandestinësh, mes të cilëve edhe prifti i Karavastasë. Në konkluzionet e saj përfundimtare, organi i akuzës i kërkoi nga gjykata një total prej 40 vjetësh burg dhe 5 milionë lekë gjobë për të pandehurit. Dënimet e kërkuara për 9 të pandehurit varionin nga 3 deri në 8 vjet heqje lirie. Ndërkohë që prokuroria kërkoi pezullimin e dënimit me kusht për 3 vjet për 5 prej të pandehurve, mes të cilëve edhe prifti i Karavastasë, Mihal Shuli. Të pandehurit e kësaj dosjeje janë Mihal Shuli, Altin Qatipi, Artur Likollari, Edmond Tollkuci, Gani Vllazeria, Ilia Cipi, Irfan Dalipaj, Leonard Belortaja, Manol Xhamia dhe Rajmond Duro. Sipas Prokurorisë, në bashkëpunim me njëri tjetrin ata ndihmonin kalimin e paligjshëm të emigrantëve në Greqi dhe më pas në Itali. Akuzat që rëndojnë mbi ta janë ato të “dhënies ndihme në kalimin e paligjshëm të kufirit” dhe “falsifikim i vulave, stampave dhe formularëve”. Një seancë më parë, gjykata pranoi gjykimin me kohë të shkurtuar për të pandehurit e kësaj dosjeje. ar.ba