E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabisin 90 mijë euro, kapen në kufi

 

FIER / MAJLINDA RAMA

Grabisin 90 mijë euro në shtëpinë e emigrantit, kapen në tentativë për të kaluar kufirin. Dy vëllezërit Taulant dhe Alket Rrapaj, nga fshati Dukas të Patosit janë futur mëngjesin e së mërkurës në banesën e Avdyl Velçanit dhe pasi kanë gjetur shumën e konsiderueshme të eurove, janë larguar nga fshati. Në momentin e grabitjes në banesë nuk ka pasur njeri, çka i ka ndihmuar vëllezërit të kontrollonin deri sa të gjenin paratë, e madje të merrnin edhe një sasi bizhuterish. Por pa kaluar as 24 orë, blutë e Fierit identifikuan grabitësit, çka solli arrestimin e tyre në Shkodër. Policia zhvilloi një operacion të koduar “Dukasi” duke çuar në pranga Taulant Rrapaj, 33 vjeç dhe Alket Rrapaj, 25 vjeç. “Të dy shtetasit, në bashkëpunim me njëri- tjetrin kanë vjedhur në banesën e shtetasit Avdyl Velçani, në fshatin Dukas, Patos, 90 mijë euro dhe një sasi të konsiderueshme bizhuterish”, bëri të ditur policia e Fierit. Sipas burimeve, vëllezërit Rrapaj janë futur në banesë, duke dëmtuar derën kryesore. Në dhomën e gjumit ata arritën të gjenin e të rrëmbejnë shumën e parave. Policia bëri të ditur se të rinjtë nuk kishin shkaktuar shumë rrëmujë në banesë, çka hedh dyshime se ata kanë pasur informacione të mëparshme për praninë dhe vendndodhjen e parave. Por, gjatë grabitjes ata kanë lënë në vendin e ngjarjes edhe gjurmë të gishtërinjve. Në sajë të shenjave si dhe informacioneve të mbledhura u arrit identifikimi i tyre. Policia siguroi të dhëna në rrugë operative se dy vëllezërit gjendeshin në Shkodër. Seksioni kundër krimeve ndaj pronës në drejtorinë e policisë së qarkut Fier vuri në dijeni policinë e Shkodrës dhe falë bashkëpunimit u arrit të bëhej edhe ndalimi i dy grabitësve. Policia arrestoi vëllezërit ndërsa iu gjet me vete edhe një sasi prej 70 mijë eurosh dhe të gjitha bizhuteritë e vjedhura në banesën e Velçanit, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Burime të policisë bënë të ditur se Alket Rrapaj dhe Taulant Rrapaj, pasi kanë kryer grabitjen janë larguar nga fshati i tyre, për të shkuar jashtë kufijve, në Kosovë. Tashmë policia po heton se ku ka shkuar shuma prej 20 mijë eurosh, që mungon nga paratë e vjedhura. Dyshohet se një pjesë e sasisë së eurove të munguara mund të jenë shpenzuar për të kryer edhe arratisjen jashtë kufijve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›