E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza: 4.8 vjet burg, trafikantit të marijuanës

 

TIRANE - Tentoi të trafikonte drejt Greqisë 14 kilogramë marijuanë, dënohet me 4 vjet e 8 muaj heqje lirie emigranti nga Vlora. Gjykata për Krimet e Rënda dha dje vendimin për të pandehurin Minella Xhogu, 52 vjeç, i arrestuar 5 muaj më parë në pikëkalimin kufitar të Kakavijës. Në seancën e djeshme, pesëshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti, është njohur me kërkesën e prokurorisë dhe me pretendimet e mbrojtjes. Duke llogaritur edhe uljen e përftuar nga fakti, që gjykimi i Xhogut u krye me kohë të shkurtuar Prokuroria ka kërkuar dënimin e tij me 4 vjet e 8 muaj heqje lirie. Në përfundim, gjykata e ka shpallur 52-vjeçarin fajtor për veprën penale të "trafikut të narkotikëve" dhe e dënoi me masën e kërkuar nga Prokuroria. Xhogu u arrestua në 28 qershor të këtij viti, teksa po tentonte të kalonte kufirin shtetëror me një sasi prej 14 kilogramë marijuanë të fshehur në automjetin e tij. Xhogu ishte nga Selenica e Vlorës dhe prej 12 vitesh jetonte si emigrant në Athinë. Pas informacioneve operative Policia Kufitare ka kontrolluar imtësisht automjetin e tij. Nga këqyrja totale e automjetit rezultoi se në pjesën e motorit kishte 5 pako dhe në pjesën e poshtme, në shasinë e automjetit u gjetën edhe 11 pako të tjera të mbështjella me natriban, brenda së cilave ndodhej lënda narkotike.               ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›