Tiranë, grabitet karburanti tek "Ura e Peshkatarit"
TIRANE - Grabitet me dhunë pika e karburantit në afërsi të "Urës së Peshkatarit". Mbrëmjen e të mërkurës, një person që dyshohet se ka pasur bashkëpunëtorë që e shoqëronin, ka hyrë në ambientet e brendshme ku ndodhet arka e pikës së karburantit. Ai ka marrë prej andej të gjitha paratë e grumbulluara nga xhiroja e ditës dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Policia tha se shuma e vjedhur e parave është ende e paqartë, ndërsa krimi mësohet se ka ndodhur në orët e mbrëmjes për shkak se grabitësit duket se kanë preferuar të vepronin në errësirë. Pak kohë nga çasti kur ka ndodhur grabitja, roja e pikës së karburantit ka lajmëruar përmes telefonit sallën operative të policisë së kryeqytetit. Shërbimet e gatshme të policisë janë nisur në drejtim të vendit të ngjarjes dhe fillimisht kanë marrë në pyetje rojën e objektit të vjedhur. Ai ka pretenduar se autor i ngjarjes është një person i vetëm, të cilin vetë roja pohon se e ka parë kur hyri në dhomën ku ndodhet arka e pikës së karburantit, mori diçka aty e më pas u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Policia tha se gjatë dëshmisë së tij, roja i karburantit është shprehur se grabitësi ishte i panjohur prej tij. Policia tha se ngjarja po hetohet si "vjedhje me thyerje e pasurisë".