Vetëvrasja e agjentit, zbardhet letra e fundit
Dashamir Biçaku
"Dua të mos u mbetet peng dhe enigmë kolegëve të mi. Gjithçka po e bëj për shkak të Eldës, që nuk më kuptoi kurrë. Më mbetet peng që një fund të tillë nuk e pata si dëshmor, në një aksion të policisë". Këto kanë qenë radhët e hedhura në letër nga agjenti i antidrogës, Lorenc Muça, i cili u vetëvra mbrëmjen e të mërkurës në banesën e tij në Tiranë. Dashuria e humbur, gjendja jo e mirë psikologjike, ekonomia e dobët dhe prindërit e divorcuar prej vitesh, duket se kanë qenë shkaqet e ngjarjes. Si të mos mjaftonin problemet e tij personale dhe familjare, dashuria e humbur që kishte zgjatur vetëm 60 ditë me një vajzë 20-vjeçare, dështimi i ëndrrës së agjentit të policisë për të qenë një ditë një oficer, duket se ka ndikuar ndjeshëm në gjendjen e 27-vjeçarit. Ai ka shkrepur një herë të vetme nën mjekër armën e punës, duke mbyllur sytë përjetësisht. Ekspertët kriminalistë të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, kanë administruar në dhomën e agjentit të antidrogës armën e shërbimit, një pistoletë e markës "Ma-karov", me krehrin me 7 fishekë. Mbi tavolinë ndodhej letra e lënë nga 27-vjeçari dhe më tej trupi i shembur përdhe. Ekspertët kanë marrë në cilësinë e provës edhe një gëzhojë si dhe një predhë të qitur nga arma personale e agjentit të antidrogës. Hetuesve nuk u është dashur shumë punë të konkludojnë se kolegu i tyre kishte marrë një vendim ekstrem duke kryer vetëvrasje. Kjo, sipas hetuesve, vihej re edhe në letrën e administruar nga ekspertët dhe hetuesit e zyrës së Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit. "Dua të mos u mbetet peng dhe enigmë kolegëve të mi. Gjithçka po e bëj për shkak të Eldës, që nuk më kuptoi kurrë. Më mbetet peng që nuk u bëra dëshmor në një aksion të policisë". Këto fjalë, sipas hetuesve, shprehnin mjaft qartë gjendjen e rënduar shpirtërore të kolegut të tyre. Gjendja e 27-vjeçarit mendohet se është rënduar edhe më tepër, pasi përpara aktit vetëvrasës efektivi i antidrogës kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli. Një fakt i tillë është pohuar për hetuesit nga ekspertët mjeko-ligjorë, që kanë kryer ekzaminimin dhe autopsinë e trupit të agjentit. Kjo, sipas tyre, mendohet të ketë ndikuar direkt në marrjen e një vendimi ekstrem nga Lorenc Muça, ndërsa ai njihej si njeri që nuk preferonte pijet alkoolike. Pengu i tij më i madh, i shprehur edhe në letrën e lënë mbi tavolinë për kolegët që do të hetonin ngjarjen e tij, ka qenë pse nuk u bë dëshmor i një operacioni policor. Gjithçka mori fund në një mënyrë fare të pamenduar nga kolegët e tij të njësisë së antidrogës në policinë e Tiranës. Ditë e fundit të kësaj jave ishin edhe të fundit nga leja 2-javore e dimrit që do të kryente kryeinspektori i diplomuar në Letërsi, që me çdo kusht donte të merrte gradën e nënkomisarit. Të hënën ai duhej të paraqitej sërish pranë zyrës së Antidrogës, ku duhej të merrte si detyrë misionin e ardhshëm. Por dje, kolegët e Antidrogës i dhanë lamtumirën e fundit mikut të tyre, ndërsa një kurorë me lule e vendosur prej tyre qëndronte mbi turmën e kurorave të sjella nga miqtë, shokët dhe të afërmit e viktimës.