Vrau klientin duke e qëlluar me dru, ekstradohet Alo, i kërkuar nga SHBA
TIRANE - Amerikanët sjellin me avion Çarter në Shqipëri të kërkuarin për vrasje i dënuar me 10 vite burg. Bashkë me të kërkuarin janë kthyer në Shqipëri edhe 11 persona të tjerë në cilësinë e të deportuarve. Eduart Alo, 36 vjeç, nga fshati Qafëzez i Ersekës, është sjellë i prangosur nga Zyra e Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së, ndërsa kërkohej në rrugë ndërkombëtare nga autoritetet shqiptare me akuzën e vrasjes. Sipas njoftimit të policisë, 36-vjeçari Alo është akuzuar dhe më pas dënuar nga Gjykata e Ersekës më 14 shtator 2000 me 10 vite burg për krimin e vrasjes së Festim Saliut. Ngjarja për të cilën është dënuar i ekstraduari i të mërkurës, sipas burimeve të policisë ka ndodhur më 26 maj të vitit 1999 në fshatin Qafëzez. Autori i krimit, sipas policisë, ka qenë pronar i një lokali në fshat, ndërsa aty ka qenë edhe viktima Festim Saliu. Në lokal, sipas policisë, ka ndodhur një grindje për motive banale mes Festim Saliut dhe një klienti tjetër. Nga grindja mes tyre orenditë e ndryshme të lokalit janë dëmtuar. Për këtë shkak Festim Saliu ka dashur të paguajë dëmin e shkaktuar prej tij, por pronari i lokalit, Eduart Alo, nuk ka pranuar e madje e ka nxjerrë me dhunë nga lokali. Pas këtij veprimi, viktima ka marrë gurë dhe sende të ndryshme në rrugë, duke i hedhur në drejtim të lokalit e duke shkaktuar më tej zemërimin e Eduart Alos. Për këtë shkak i ekstraduari ka dalë nga lokali dhe ka nisur të godasë me një copë dru Festim Saliun, që ka mbetur i vdekur në vend nga goditjet. Pas hetimit të kryer dhe procesit gjyqësor, Alo ka marrë një dënim me 10 vite burg për vrasjen e bashkëfshatarit, ndërsa ai ishte larguar nga vendi. Ai është arrestuar nga policia amerikane dhe më pas është ekstraduar mbrëmjen e të mërkurës, rreth orës 23:00. Avioni me të cilin ka mbërritur Alo, sipas burimeve, ka qenë një "avionburg", që ka shpërndarë në Evropë persona të ndryshëm të dënuar apo që kishin hyrë ilegalisht në SHBA, ku edhe ishin regjistruar me precedentë penalë të ndryshëm. Ndër këta pasagjerë kanë qenë 12 shqiptarë, ndër të cilët kanë qenë tri femra dhe 9 meshkuj. Katër nga të depërtuarit, sipas burimeve ishin depërtuar bashkë me një skedë për veprat penale të kryera në SHBA. Një prej të mbërriturve është proceduar penalisht nga policia, pasi kishte hyrë në SHBA me pasaportë sllovene dhe vizë amerikane të marrë në Slloveni. d.b