E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, përmbyten shtëpitë e ALUIZNI-it

 

DURRES / OERD ULQINI

Durrësi vihet nën "darën" e motit të keq. Reshjet e shiut kanë rënë furishëm, duke mos njohur ndërprerje për 24 orë me radhë. Alarm i kuq është vënë re në zonat informale, aty ku uji ka mbuluar shtëpitë e banorëve. Burimet nga Shtabi i Emergjencave bëjnë me dije se mbi 150 shtëpi janë përmbytur nga furia e ujit, i cili ka marrë gjithçka në rrjedhën e tij. Banorët kanë kërkuar ndihmën e organeve kompetente, por ndërhyrja është përqendruar vetëm në largimin e përkohshëm të disa banorëve, jeta e të cilëve mund të rrezikohej nga niveli i lartë i ujit. Është ende herët për të llogaritur dëmet, pasi dhjetëra lavatriçe, frigoriferë, apo aparatura të tjera elektro-shtëpiake kanë dalë jashtë funksionit. Sistemi skandaloz i kanalizimeve, i bërë nga banorët me kokën e tyre nuk ka përballuar as edhe dy orë reshje. Shtëpitë e ngritura pa kriter dhe në zona që ndodhen nën nivelin e detit kanë sjellë rëndim të mëtejshëm të situatës. E rëndë paraqitet gjendja edhe në Kodër-vilë, ku shumë shtëpi informale rrezikojnë nga shkarja e dheut. Aluizni ka bërë me dije se nuk do t'i legalizojë kurrë shtëpitë në Kodër-vilë, pasi ato janë në rrezik shkarjeje. Por pavarësisht kësaj deklarate banorët kanë injoruar alarmin e dhënë nga Aluizni. Edhe në rang Qarku gjendja paraqitet e rënduar. Burimet nga Bordi Kullues i Durrësit shprehen se "dy hidrovorët e Porto-Romanos dhe të Hamallajt janë duke punuar me kapacitet maksimal, por pavarësisht kësaj gatishmërie mbi 120 hektarë tokë rezulton e përmbytur". Në alarm për përballimin e situatës është vënë edhe Drejtoria Rajonale e Bujqësisë, e cila ka shpërndarë grupe pune në terren për të vlerësuar dëmin në kulturat bujqësore në të gjithë Qarkun.
Moti i keq ka pezulluar të gjithë aktivitetin lundrues në portin e Durrësit. Masa të përforcuara me rimorkiatorë janë marrë në vijën ndarëse mes peshkimit dhe trageteve, në mënyrë që të mos përsëriten më aksidente të rënda detare. Anijet tregtare kanë kyçur hambarët, në mënyrë që reshjet të mos dëmtojnë mallrat, ndërkohë që peshkarexhat janë lidhur me cima të përforcuara. Porti është mbyllur me urdhër të Kapitanerisë së përgjithshme, duke pezulluar përkohësisht çdo lloj lundrimi. Moti i keq ka kapur në befasi të gjithë Qarkun, duke paralizuar edhe disa segmente automobilistike. Reshjet kanë provokuar disa aksidente zinxhir në autostradën Durrës-Tiranë, ku një autobot i zbrazur është përmbysur, ndërsa disa makina të tjera janë dëmtuar. Për fat moti i keq ka kursyer deri më tani jetët njerëzore, duke sjellë vetëm dëme të larta në shumë sektorë të ekonomisë dhe në shtëpitë e banorëve informalë.

Tropojë, rrëshqet dheu, shembet një shtëpi

TROPOJE - Një shtëpi u rrëzua në komunën e Lekbibajt në Tropojë mesditën e djeshme. Shtëpia e Gjergj Margjokës ështe shembur si pasojë e rrëshqitjes së dheut. Ndërtesa ku jetonin 6 anëtarë rrezikohej prej kohësh, por shirat e djeshëm kanë provokuar dhe fatkeqësinë. Banorët kanë mundur të dalin në kohë, duke u strehuar te të afërm të tyre. Po në Tropojë janë regjistruar dje dhe 7 ura pasarelë të dëmtuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›